
Tammy Ziv jep detaje rreth marrëveshjes për heqjen e vizave nga Izraeli për kosovarët

Rreth marrëveshjes për heqjen e vizave për kosovarët, u deklarua sot ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Ziv thekson se qytetarët do të njoftohen me kohë sapo vendimi të hyjë në fuqi.
E njëjta shton, se ministritë përkatëse do të vazhdojnë procedurat e nënshkrimit për këtë marrëveshje.
“Më pak se tri vjet pas vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona, Qeveria e Shtetit të Izraelit ka vendosur të miratojë marrëveshjen për heqjen e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës. Të dyja ministritë përkatëse do të vazhdojnë procedurat e nënshkrimit dhe qytetarët do të njoftohen sapo vendimi të hyjë në fuqi. Shpresoj që ky moment historik i veçantë në marrëdhëniet tona dypalëshe do të nxisë më tej bashkëpunimin në rritje midis vendeve tona dhe do t’i afrojë qytetarët tanë”, është shprehur ajo.
(Kosova Sot Online)