Osmani përkujton ditët e 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë

  • A.P /
  • 04 February 2024 - 16:05
Osmani përkujton ditët e 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë

Ditët e 3-4 shkurtit të vitit 2000 në Mitrovicë, kur nga bandat kriminale serbe u vranë 10 civilë, 25 u plagosën, ndërkaq 1564 familje me 11364 anëtarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre, i ka përkujtuar presidentja Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Në kujtim të dy netëve të tmerrit të 3-4 shkurtit të vitit 2000, në Mitrovicë, sot nderojmë jetët e humbura të 10 qytetarëve të pafajshëm, mes tyre pleq, gra dhe fëmijë, të cilët u vranë mizorisht nga bandat kriminale, të nxitura nga Serbia”, ka shkruar Osmani.

“Respekt edhe për 25 të plagosur, të cilët mbijetuan dhe jetojnë ende me plagë fizike dhe emocionale nga nata e tmerrit”, ka shtuar ajo.

Presidentja shkroi se “1,564 familje me 11,364 anëtarë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e tyre janë dëshmi e tendencës për spastrim etnik të kësaj pjesë të Mitrovicës nga grupet kriminale”.

“Ngjarjet e atyre dy netëve të tmerrit, shërbejnë si një kujtesë e trishtë e përpjekjes për mbijetesë dhe për ta mbrojtur lirinë e arritur me gjak e sakrificë. Vënia e autorëve të krimit para drejtësisë është domosdoshmëri në funksion të paqes afatgjate! Qoftë i përhershëm kujtimi për të vrarët më 3-4 shkurt 2000 në Mitrovicë!”, ka shkruar presidentja.


(Kosova Sot Online)