Mustafa: Albin Kurtin e rrëzova për shkak të qëndrimit kundër SHBA-së

  • A.P /
  • 16 February 2024 - 17:40
Mustafa: Albin Kurtin e rrëzova për shkak të qëndrimit kundër SHBA-së

Ish-kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se vendosja në krizë e raporteve me SHBA-në por edhe me Brukselin për një shtet të ri si Kosova është mjaftë një sfidë e madhe, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ish-kryetari i LDK-së ka thënë se sa kishte qenë në krye të partisë kishte vendosur për ta prishur marrëveshjen me VV-në dhe për ta rrëzuar Kurtin nga Qeveria për shkak të mospajtimit me politikën kundërshtuese ndaj aleatit strategjik të Kosovës.

Mustafa ka thënë se me këtë veprim kishte rrezikuar partinë, duke bërë kështu që LDK-ja të paguaj çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Megjithatë ish-kryeministri Mustafa thotë se atëherë ka qenë situata ndryshe, meqë ishte vetëm Administrata e SHBA-së që kishte mospajtime me Kurtin, ndërkohë që përfaqësuesit amerikan, britanik gjerman e francez në Kosovë ishin në përkrahje të Albin Kurtit.

“Vënia në krizë e raporteve me SHBA-të por edhe me BE-në është sfidë e madhe për Kosovën si shtet i ri dhe akoma i papërfunduar në OKB dhe i panjohur nga 5 vende të BE-së.Sa isha kryetar i LDK-së e prisha koalicionin me VV-në dhe e rrëzova Qeverinë Kurti, sepse nuk pajtohesha me politikën kundërshtuese ndaj SHBA-së, si partnere strategjike e Kosovës. Rrezikova LDK-në, e cila pagoi çmimin e madh për sigurinë dhe shtetin e Kosovës. Por atëherë ishte pak më ndryshe, sepse përderisa administrata amerikane shprehte mospajtime me Qeverinë Kurti ( ku ishte edhe LDK), përfaqësuesit amerikan, gjerman, francez e britanez në Kosovë ishin me Kurtin dhe për Kurtin”, ka thënë Mustafa.

(Kosova Sot Online)