I sanksionuari i Amerikës, Vulin po kërkon me çdo kush anëtarësimin e Serbisë në BRICS: BE po e kërkon njohjen e Kosovës

  • E.K /
  • 19 February 2024 - 08:11
I sanksionuari i Amerikës, Vulin po kërkon me çdo kush anëtarësimin e Serbisë në BRICS: BE po e kërkon njohjen e Kosovës

Njeriu i sanksionuar nga Amerika, i cili merr dekorata nga Rusia dhe akuzohet se i kreu punë të pisata Vladimir Putinit nëpër Serbi sa ishte shef i BIA-s serbe, po kërkon me ngulm që Serbia të antarsohet në BRICS dhe të jetë larg Bashkimit Evropian.

Themeluesi i Lëvizjes Socialiste, Aleksandar Vulin, tha se serbët më në fund duhet të kuptojnë se BE-ja nuk e do Serbinë brenda kufijve të saj ekzistues, si dhe se Perëndimi dëshiron të shfuqizojë RS-në dhe se po synon bashkimin e bendit, që është i ndarë.

Vulin theksoi se duhet kuptuar se njohja e shtetit të Kosovës është parakusht për vazhdimin e negociatave me BE-në dhe se sa më shpejt që serbët ta kuptojnë këtë, aq më shpejt do t’i drejtohen vetes dhe interesave të tyre.

“BRICS është një mundësi për Serbinë që të jetë në mesin e miqve, të cilëve nuk duhet t’i dorëzojë shtetësinë e saj në këmbim të gënjeshtrave të vazhdueshme” – tha Vulin.

Kur është fjala për masat e njëanshme të Prishtinës dhe reagimet e Perëndimit ndaj tyre, Vulin, deri vonë drejtor i Agjencisë për Siguri dhe Informim të Serbisë, ka theksuar se Perëndimi është në anën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe e mbështet atë në çdo gjë.

“Ndonjëherë ata nuk i përgjigjen nevojës së tij për të treguar forcë, por kurrë nuk do t’i mohojnë ndihmën dhe mbrojtjen. Ata kanë të njëjtin synim, që është një Kosovë e pavarur, e pastër etnikisht dhe e njohur nga Serbia, një Serbi e dobët dhe e pakësuar, Republika Srpska e shfuqizuar dhe serbët e përçarë” – tha Vulin.

Sipas tij, do të mjaftonte të zgjidhej gjithçka nëse BE-ja do të ndalonte lëshimin e eurove për Kurtin derisa të vendoset funksionimi i papenguar i dinarit, por Unioni nuk do ta bëjë këtë.

Ai kujtoi se ekipi udhëheqës negociues i Qeverisë së Serbisë, kur u krijua kapitulli 35 në negociatat me BE-në, deklaroi qartë se kapitulli ishte vetëm një listë e pikave të përmbushura ose të paplotësuara nga dialogu i Brukselit dhe se nuk ishte zëvendësues për dialog ose një kapitull të pavarur.

“Dhe kjo është konfirmuar dhe pranuar si qëndrim i BE-së. Sot, gënjeshtarët nga BE-ja përdorin kapitullin 35 për t’i imponuar Serbisë detyrime të reja pa diskutim dhe për t’i imponuar Serbisë gjithçka që nuk arritën të fitojnë në negociatat me presidentin Vuçiq” – tha Vulin për “Novosti”.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse i frikësohet shpërbërjes totale të Republikës Srpska dhe nëse presidenti i saj Milorad Dodik është në gjendje t’i rezistojë presioneve të Amerikës, Vulin, i cili është edhe senator i RS-së, tha se nuk ka as më të voglin dyshim se Dodik do të rezistojë nga presionet nga perëndimi.

“Po përpiqen t’ia ndalojnë Dodikut pjesëmarrjen e hapur në zgjedhje dhe të njëjtën gjë po mundohen t’ia imponojnë Vuçiqit, vetëm fshehurazi. Gjithçka që bën RS është gjithmonë vetëm përgatitje për Serbinë. E di që presidenti Dodik do të durojë, ashtu siç e di që presidenti Vuçiq do të vazhdojë të mbrojë RS-në” – theksoi Vulin.

Ai theksoi se nuk mund të ketë shfuqizimin e RS përderisa Aleksandar Vuçiq udhëheq Serbinë.

“Vuçiq e them me qëllim, jo ​​qeveria apo koalicioni. Vetëm përderisa Vuçiq të udhëheqë shtetin e Serbisë, ajo do të jetë një garantues i fortë i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe do të mbrojë RS. Nëse shumë politikanë të tjerë, duke përfshirë edhe koalicionin tonë, do të vendosnin për këtë, RS do të ishte shpallur shumë kohë më parë një barrë që duhet të lirohet” – tha Vulin.

(Kosova Sot Online)