Gati 1 vit nga arritja e një marrëveshje të pa nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë

  • A.P /
  • 01 March 2024 - 22:30
Gati 1 vit nga arritja e një marrëveshje të pa nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë

Janë bërë 1 vit nga arritja e një marrëveshje të pa nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ndonëse vendimi për targat dhe ajo e energjisë kanë gjetur zbatim, themelimi i Asociacionit ende ka mbetur pa u zgjidhur.

E për këtë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, ka thënë se Bashkimit Evropian nuk i takon të propozojë një draft Asociacioni të Komunave me shumicë serbe.

“ I vetmi obligim që e ka Kosova është, marrëveshja e vitit 2013, por unë mendoj se Bashkimi Evropian nuk e ka kompetencë me i propozua Asociacion Kosovës. Është gabim me mendu që Bashkimi Evropian, është kompetencë e Bashkimit Evropian, neve veç me na u caktu, e kompetencë e jona vec me dërgua në Gjykatën Kushtetuese. Ndoshta z.Hovenier e ka pas fjalën që Kosova me propozua një draft të Asociacionit, kjo është temë tjetër”, tha Konjufca.

Nga ana tjetër, partitë opozitare njëzëri mendojnë se çështja e dinarit nuk duhet të diskutohet në nivelin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“ Absolutisht jo, kjo është dëmi më i madh që mund t’i bëhet Republikës së Kosovës, çështje të tilla me ngrit në nivel politik të diskutimeve. Ky është një ujë i cili shkon vetëm në mulli të Serbisë, kjo është një favor që ia bënë Serbisë. Kjo ka qenë një çështje e jona e brendshme, e cila do duhej me u rregullu në koordinim me SHBA-të”, është shprehur Abelard Tahiri.

Nga AAK-ja thonë se valutë e vetme në Kosovë dhe legale është euroja.

“ Duhet të ketë diskutim të brendshëm, në Kosovë, dhe assesi nuk duhet që tema e dinarit tani të kalon temë në Bruksel. E vetmja valutë në Kosovë është euro dhe si e tillë duhet të jetë, dinari nuk duhet të diskutohet në Bruksel në asnjë moment”, ka thënë Besnik Tahiri.

Ndërsa për dinarin ka folur edhe kryeparlamentari.

Ai tha se legaliteti i vendimit për dinarin nuk po kontestohet nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Sipas Konjufcës, kjo është një e drejtë e Kosovës e që duhet të gjendet një modalitet më i mirë se si të zbatohet që të përfitojnë të gjithë, përfshirë komunitetin serb.

Konjufca foli edhe për thirrjen e Parlamentit Evropian ndaj BE-së, për largimin e masave ndaj Kosovës duke e quajtur të pakuptimtë mos heqjen e masave pas rastit terrorist në Banjskë.

“ Sidomos pas 24-shtatorit , gjëja më absurde që ka ndodhur nga bashkësia ndërkombëtare është që Kosovës me iu vazhdua masat, që Kosovës mos t’i hiqen masat, ku në të njëjtën kohë Serbia, i cili është vend drejtpërdrejtë sponzorisues i këtij grupi terrorist dhe në formë të aktit të agresionit e ka sulmu Kosovën më 24 shtator” , tha ai.

Masat ndaj Kosovës u vendosen nga Bashkimi Evropian vitin e kaluar, kur katër kryetarët e komunave veriore të Kosovën morën pozitat pa pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

(Kosova Sot Online)