Kurti: Unë po mendoj si kryeministër dhe s’kam kohë e nerva të mendoj si opozitar

  • A.P /
  • 19 March 2024 - 16:14
Kurti: Unë po mendoj si kryeministër dhe s’kam kohë e nerva të mendoj si opozitar

Kryeministri Albin Kurti është pyetur se si do të reagonte po të ishte në opozitë dhe nëse një qeveri tjetër do ta urdhëronte Agjencinë Kadastrale që t’ia regjistronte pronën Manastirit të Deçanit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

I pyetur nëse do reagonte duke organizuar protesta, Kurti është përgjigjur duke thënë se i ka shterur të gjithë energjinë, kohën e nervat që ka pasur për të menduar si opozitar.

“ Nuk kam kohë të mendoj edhe për opozitën. Për opozitën le të mendojë opozita. Unë po mendoj si kryeministër, sepse për më shumë se dy dekada kam menduar si opozitar. Besoj se gjithë energjinë, kohën dhe nervat që i kam pasur për të menduar si opozitar, i kam shterur”, ka deklaruar Kurti për rel.

I pari i Qeverisë ka shtuar se i merr me seriozitet opozitën, por në kuptimin e polemikave beson se është kryeministri që më së paku është ballafaquar me opozitën nga gjithë kryeministrat e tjerë.

“ Unë vazhdimisht i kuptoj, sepse i dëgjoj se çfarë thonë, i marr me seriozitet dhe me sinqeritet, mirëpo duhet pranuar se, në kuptimin e polemikave, unë jam kryeministri që më së paku është ballafaquar me opozitën, prej se Kosova ka kryeministër”, ka shtuar Kurti.

(Kosova Sot Online)