Osmani i përgjigjet Hill: Kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet më afër NATO-s ofendon çdo shtet demokratik

  • E.K /
  • 20 March 2024 - 11:38
Osmani i përgjigjet Hill: Kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet më afër NATO-s ofendon çdo shtet demokratik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot i është përgjigjur deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, që Serbia është më afër NATO-s sesa Kosova, përcjell “Kosova Sot Online”.

Osmani tha se kushdo që mendon kështu i ofendon shtetet demokratike që bëjnë hapa drejt NATO-s.

“Kushdo që e konsideron Serbinë që është shtet afër NATO-s nuk e ofendon vetëm çdo shtet demokratik që po bën hapa konkretë drejt anëtarësimit në NATO, por njëkohësisht është duke i ofenduar edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit, që është njëjtë sot siç ka qenë edhe para disa dekadave”, tha Osmani para gazetarëve.

Ajo tha se më larg nga NATO sesa Serbia është vetëm Rusia.

Osmani tha se Serbia nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri për anëtarësim në NATO.

“Ekziston vetëm një shtet që është më larg NATO-s dhe ajo është Rusia e Putinit. Një shtet si Serbia, i cili vazhdimisht ka shkelë vlerat kryesore mbi të cilat qëndron NATO-ja, pra mbrojtjen nga forcat autoritare, mbrojtjen nga shtetet të cilat shkelin të drejtat bazike të së drejtës ndërkombëtare siç është Serbia, lëre që është larg NATO-s, por as mund të ëndërrojë një ditë të jetë pjesë e NATO-s. Për shkak se është pikërisht anti vlerave të NATO-s, Serbia nuk ka shprehur ndonjëherë gatishmëri për anëtarësim në NATO. Pra, është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor që vazhdimisht ka deklaruar se nuk do të anëtarësohet në NATO, sepse është kundër NATO-s”.

(Kosova Sot Online)