Përfitoi rreth dy milionë euro përmes mashtrimit, gjykata vendos një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

  • A.P /
  • 21 March 2024 - 16:33
Përfitoi rreth dy milionë euro përmes mashtrimit, gjykata vendos një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj J.M., i cili dyshohet se ka përfituar rreth dy milionë euro përmes mashtrimit, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Lajmin e ka konfirmuar zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Hateme Haxhaj.

Haxhaj konfirmoi se të mërkurën, pas mbajtjes së seancës së dëgjimore, Gjykata ka marrë vendim me të cilin ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe ia ka cakuar masën e paraburgimit të dyshuarit J.M.

“Me datë 20.03.2024 në gjykatë është mbajtur seanca dëgjimore dhe po ashtu me Aktvendim të gjyqtares së procedurës paraprake është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë duke u caktuar masa e paraburgimit për të pandehurin J.M, në kohëzgjatje prej 1 muaji”, thuhet në përgjigjen e Haxhajt.

Masa e paraburtimit, të dyshuarit do t’i llogaritet nga 18 marsi deri më 18 prill 2024.

J.M., dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 mars ka bërë të ditur se J.M., është arrestuar nën dyshimin se në periudha të ndryshme që nga viti 2021 e deri në muajin korrik të vitit 2023 ka mashtruar qytetarë të ndryshëm me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, duke përfituar rreth 2 milionë euro.

(Kosova Sot Online)