Ja çka deklaroi O’Brien për lëvizjen e ushtrisë serbe afër kufirit, çështjen e dinarit dhe Këshillin e Evropës

  • S.A /
  • 23 March 2024 - 07:58
Ja çka deklaroi O’Brien për lëvizjen e ushtrisë serbe afër kufirit, çështjen e dinarit dhe Këshillin e Evropës

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke i vëzhguar lëvizjet e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën dhe se vendi i tij ia ka bërë të ditur Serbisë që përdorimi i forcës do të ishte i papranueshëm, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Në Serbi, presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq e di mirë se çdo përdorim i forcës kundër Kosovës do të ishte i papranueshëm, do të konsiderohej rrezikim i forcave të NATO-s, që janë aty për të mbrojtur popullsinë, shqiptarët dhe serbët. Ai ka thënë se nuk do të ketë përdorim të forcës”.

Prandaj, ai u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të marrin veprime për uljen e tensioneve në rajon. O’Brien i ka bërë këto deklarata në një bashkëbisedim me gazetarët online. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 21 mars se njësite të ushtrisë serbe janë vërejtur disa metra larg kufirit me Kosovën, dhe i ka cilësuar këto lëvizje si “provokime të qëllimshme”. Të premten, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë i ka quajtur deklaratat e Kurtit si pjesë e fushatës dezinformuese për ushtrinë e Serbisë. Sipas saj, forcat e ushtrisë serbe janë duke i kryer detyrat e tyre në zonën e sigurt administrative, në përputhje me të gjitha marrëveshjet e nënshkruara.Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka thënë të premten se gjendja e sigurisë në Kosovë është “e qetë, por e brishtë”, si dhe u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga retorika përshkallëzuese dhe ndarëse.Zyrtari amerikan ka thënë, po ashtu, se Serbisë i është bërë e qartë që personat e përfshirë në sulmin e 24 shtatorit të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit duhet të mbahen përgjegjës.Atë ditë, një grup i armatosur serb e ka vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë dhe tre sulmues serbë.Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbisë, Millan Radoiçiq.Kosova e fajëson shtetin e Serbisë për organizimin të sulmit, mirëpo ajo e mohon një gjë të tillë.Kur ka folur për Kosovën, O’Brien ka thënë se asnjë Qeveri nuk duhet të marrë vendime që varfërojnë popullsinë.“Por, ne e shohim që në veri të Kosovës është shumë e vështirë për një numër individësh që t’i blejnë gjërat që u duhen për përditshmërinë e tyre”.Deklarata e tij ka qenë referencë për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave në para të gatshme. Kështu, është pamundësuar përdorimi i dinarit serb. Serbia deklaron se ndan ndihmë për serbët e Kosovës në vlerë të miliona eurove, duke u dhënë pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë. O’Brien ka thënë se vetë i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i ka vizituar qytetarët e veriut të Kosovës ditë më parë, për të parë nga afër situatën atje. “Miqtë e Kosovës tani po thonë që do të dëshironin që kjo rregullore të rishqyrtohej dhe të zbatohej ashtu që u mundëson qytetarëve të vet që të paguajnë për gjërat e përditshme. Kjo nënkupton marrjen e një hapi mbrapa, lejimin e hyrjes së ndonjë valute, euro, dinarë, kjo është diçka për të cilën po diskuton Lajçaku”, ka thënë ai, duke iu referuar të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë janë pajtuar ditë më parë që brenda ditësh do të propozojnë zgjidhje për dinarin. O’Brien ka thënë se SHBA-ja beson që rregullorja e BQK-së është duke u zbatuar në një mënyrë që ua vështirëson përditshmërinë qytetarëve të Kosovës. Mes tjerash, ai ka thënë se vendimi për dinarin nuk është marrë në kohën e duhur, pasi, sipas tij, në vjeshtën e vitit të kaluar, janë arritur shumë marrëveshje të rëndësishme, përfshirë atë që serbët e veriut të paguajnë për rrymën që shpenzojnë. Prandaj ai ka thënë se e sheh të çuditshëm vendimin që serbëve tani t’iu ndalohen shërbimet, që do t’ua mundësonin kryerjen e pagesave. “Ne e kuptojmë se Qeveria [e Kosovës] dëshiron të kuptojë se çfarë valute po i hyn brenda territorit, por ekzistojnë mënyra për të garantuar transparencën, pa i ndërmarrë veprimet e tanishme”.

Banorët e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga viti 1999, nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar. Por, shpërndarja e faturave të energjisë elektrike në veri ka nisur prej 29 shkurtit, pas arritjes së marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.Kosova dhe Këshilli i Evropës
Përgjatë konferencës, O’Brien ka rikujtuar se Kosova përballet këto javë me disa votime të rëndësishme në rrugën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Ai i ka përmendur Këshillin e Evropës duhet thënë se Kosova tashmë është pajtuar, ose është zotuar, për zbatimin e disa kritereve, për të ecur përpara. “Njëri prej tyre ka qenë përparimi që është bërë lidhur me kontestin për tokën rreth Manastirit të Deçanit, dhe i kemi mirëpritur publikisht hapat që ka marrë Qeveria për të…por është thënë, po ashtu, që Kosova duhet të bëjë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe para se Këshilli i Ministrave në Këshillin e Evropës të trajtojë këtë pikë, dhe që ai të jetë zbatuar para se Këshilli i Ministrave të votojë për punën e anëtarësiminit”.

O’Brien ka thënë se SHBA-ja vazhdon të përkrahë Kosovën në synimet e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por që Kosova ka bërë zotime lidhur me Asociacionin dhe se “kjo është pika kritike për të arritur atë që e ka synuar, e që në këtë rast është anëtarësimi”.

“Këto janë disa prej vendimeve të vështira që duhet t’i marrin qeveritë. Ne do t’i mbështesim teksa i marrin këto vendime, në mënyrë që t’i bashkohen komunitetit evropian dhe ndërkombëtar”.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është riaktualizuar në javët e fundit, pasi, me kërkesën e Qeverisë së Kosovës drejtuar Agjencisë Kadastrale për transferimin e 24 hektarëve tokë në emër të Manastirit të Deçanit, është përmbushur njëri nga kushtet kryesore për anëtarësim.

Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këtë tokë ishte konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në majin e vitit 2016, por autoritetet përgjegjëse nuk e kanë zbatuar vendimin.

Përveç O’Brienit, edhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e ka përmendur zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin si kusht për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

O’Brieni ka thënë që nëse dikush brenda Kosovës dëshiron të ndërmarrë veprime tjera prej atyre që është zotuar – duke vënë theksin të Asociacioni – “ata kanë të drejtë të veprojë”, mirëpo që ato më pas mund të mos jenë në linjë me synimet që i ka pasur Kosova në 20 vjetët e fundit.Zyrtari amerikan e ka përmendur edhe nevojën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.Në shkurt të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për një marrëveshje, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.Në mars, më pas, palët janë pajtuar për një aneks zbatimi, që njihet si Marrëveshja e Ohrit.Megjithatë, pak përparim është bërë nga të dyja palët drejt zbatimit.Dy vendet dialogojnë – me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – qysh prej vitit 2011. Ato kanë nënshkruar edhe një mori marrëveshjesh tjera, por jo të gjitha janë zbatuar.

(Kosova Sot Online )