Biden zotohet të mbrojë ligjin për kujdesin shëndetësor

  • A.P /
  • 25 March 2024 - 17:20
Biden zotohet të mbrojë ligjin për kujdesin shëndetësor

Presidenti amerikan Joe Biden nxori në pah këtë fundjavë përpjekjet e tij për kujdesin shëndetësor, ndërsa rivalit të tij politik Donald Trump iu desh të përqëndrohej tek afati për të paraqitur garancinë financiare në gjykatën e Nju Jorkut, ku humbi çështjen gjyqësore të bazuar tek padia civile për mashtrim të vlerës së bizneseve të tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias sjell detaje të mëtejshme, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Pasi u gjend fajtor për mashtrim të vazhdueshëm me praktikat e tij të biznesit, ish presidenti Donald Trump, përballet të hënën me afatin për të depozituar garancinë monetare prej 454 milionë dollarësh në gjykatën e Nju Jorkut.

Ish presidenti Trump njoftoi të premten në platformën e tij të medias sociale “Truth Social” se i ka paratë që nevojiten dhe përsëriti argumentet e bëra më parë në Palm Beach, Florida, në lidhje me çështjen gjyqësore të bazuar tek padia civile.

“Ky ishte një proces gjyqësor i manipuluar, me një gjykatës të korruptuar dhe një prokurore të korruptuar. Ata duan t’i marrin paratë që të mos i përdor dot për fushatën elektorale”, tha zoti Trump.

Ligjvënësja demokrate Alexandria Ocasio-Cortez, u pyet gjatë emisionit të së dielës “State of the Union” në kanalin televiziv CNN, nëse akuza e zotit Trump ndaj prokurores dhe gjykatësit për një “gjueti shtrigash” ndaj tij, mund ta ndihmojë atë politikisht.

“A ka patur ndonjëherë një president, qoftë republikan, apo demokrat, ndaj të cilit të jenë ngritur akuza penale dhe të jenë bërë hetime penale? Këtu nuk bëhet fjalë për parti, kjo nuk ka lidhje me politikën, kjo ka të bëjë me korrupsionin dhe kriminalitetin”, tha ajo.

Në emisionin “Meet the Press” të kanalit televiziv NBC, ish kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, komentoi rreth njoftimeve për krijimin e një organizate të re për mbledhje fondesh nga komiteti republikan dhe ekipi elektoral i zotit Trump dhe nëse është e përshtatshme që zoti Trump t’u kërkojë donatorëve të paguajnë faturat e tij ligjore.

“Nëse duan vërtet që ta mbështesin për faturat e tij ligjore, atëherë kanë të gjithë të drejtën që ta bëjnë këtë. Dhe mendoj se ai po tregohet shumë i hapur se po e ndihmojnë me pagesat e faturave të tij ligjore”, tha zonja McDaniel.

Ndërsa kandidon për të marrë një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Joe Biden organizoi një aktivitet virtual të shtunën. Së bashku me pararendësin e tij demokrat Barack Obama dhe ish kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, presidenti Biden u përqëndrua tek tematika e kujdesit të përballueshëm shëndetësor.

“Në këto zgjedhje ka dy vizione krejt të ndryshme të Amerikës. Është kaq e thjeshtë. Vizioni im, vizioni ynë për një të ardhme ku njerëzit kanë lirinë dhe sigurinë e një kujdesi shëndetësor të përballueshëm, kosto të ulëta të ilaçeve dhe pak më shumë frymëmarrje”, tha presidenti Biden.

Ai i siguroi votuesit se do ta mbajë në fuqi ligjin për kujdesin e përballueshëm shëndetësor, të njohur si “Obamacare” dhe e kritikoi ish presidentin Trump që është zotuar ta shfuqizojë atë, megjithëse 20 milionë persona janë regjistruar në këtë program vetëm për këtë vit.


(Kosova Sot Online)