Eurodeputeti i PE-së ia dhuron Bislimit penën me të cilën u nënshkrua vendimi për vizat

  • E.K /
  • 26 March 2024 - 14:59
Eurodeputeti i PE-së ia dhuron Bislimit penën me të cilën u nënshkrua vendimi për vizat

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti eurodeputetët nga Parlamenti Evropian, Thijs Reuten dhe Ladislav Ilcic, përcjell “Kosova Sot Online”.

Zëvendëskryeministri Bislimi pranoi simbolikisht nga eurodeputeti Reuten, i cili ishte dhe raportues mbi çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, penën me të cilën u nënshkrua me 19 prill të vitit të kaluar, vendimi final për procesin.

“Gjatë takimit, u bisedua mbi rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ku zëvendëskryeministri përmendi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE dhe nevojën për ecjen tutje në këtë proces, angazhimin e vendit sa i përket Planit të Rritjes dhe punës për reformat indikative, por edhe performancën e vendit përmes indikatorëve ekonomikë”

U ngritën dhe çështje që ndërlidhen me fusha si energjia, shëndetësia, arsimi. U adresuan dhe masat ndëshkuese ndaj Kosovës, ku zëvendëskryeministri ritheksoi se ato janë të padrejta dhe duhet të hiqen sa më parë.

“Nga ana e tyre, eurodeputetët Reuten dhe Ilcic nënvizuan se Parlamenti Evropian e mbështet Republikën e Kosovës në objektivin e qëllimin e saj në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar dhe mirënjohjen për qëndrimin parimor e mbështetjen ndaj qasjes evropiane kundrejt agresionit të pajustifikuar rus në Ukrainë”.

(Kosova Sot Online)