Nëna kërkon drejtësi për të birin që i vdiq pasi ishte goditur nga një veturë

  • S.A /
  • 27 March 2024 - 12:05
Nëna kërkon drejtësi për të birin që i vdiq pasi ishte goditur nga një veturë

Në seancën gjyqësor ndaj të pandehurit Eraj Temaj, që po akuzohet për rrezikim të trafikut publik, ku si pasojë e aksidentit kishte vdekur 22-vjeçari, ka dhënë dështimin nëna e tani të ndjerit J.T., Kumrije Temaj, e cila ka rrefyer për natën kritike, se me kë doli biri i saj, cila ishte biseda e fundit me të dhe çka kuptoi ajo më vonë për këtë rast. Ajo ka kërkuar nga gjykata drejtësi për këtë rast, duke thënë se “jetim e kam rritë, dua të vërtetën, transmeton "Kosova Sot Online "”.

E dëmtuara Kumrije Temaj, në cilësinë e dëshmitares tha se nuk mbetej pranë deklarimeve të dhëna polici dhe prokurori pasi që nuk e kishte ditur se çka ka ndodhur deri pas leximit të autopsisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Temaj tha se më 27 maj 2022, kishte ndodhur aksidentin, ndërsa më 16 qershor djali saj ka ndërruar jetë, duke shtuar se i ndjeri për ato tri javë kishte qenë pavetëdije.

Ajo tha se atë ditë djali i saj kishe punuar tërë ditën, kurse në mbrëmje kishin ardhur për ta marrë me veturë shoqëria e tij.

“Në 18 e 17 minuta e kom thirr e kom vet djali jem ku je, ka thënë jam te shitorja me Eraj Temaj, Murat Temaj, këta janë vëllezër dhe djalin e mixhes Behar Temaj, dhe Smajl Gashin. S’janë bërë 30 minuta e kam thirr edhe një herë në telefon. Fjalët e tij të mramat, Jeton i thash ku je mam? tha jam me qeta 4 personat, ma telefonin djalit ia kan nal”, tha e dëmtuara Temaj.

Ajo tha se Behar Temaj kishte shkuar në QKUK në Prishtinë dhe i kishte thënë se “tutna se e ka hëngër puna jem”, ndërsa motra e këtij të fundit Edona Hoti, sipas saj, i kishte thënë se nuk mund ta tregoi të vërtetën se “vëllau i saj do t’ia prenë kokën me sëpatë”.

“Çka kanë bo këta, e ka marrë djalin e ka qit në haub, as s’na kanë thirr neve, as s’mi kanë thirr kunet, as ndihmën e shpejt, as policin, e kanë marr me kerr e kanë qu në Klinë, kanë qellu Aferdita Gashi dhe Agron Hodaj (mjek kujdestarë), i ka thanë çka ka Behar? tha u rrzu prej traktori. Ai e ka thirr policin dhe sigurimin dhe e kanë qu djalin në Pejë, tu e qu në Pejë nuk i ka thirr kunet por e ka thirr Besmir Temaj dhe djali nuk ka arrit me mbërri në Prishtinë deri në 3 e 30 të mëngjesit”, tha e dëmtuara Kumrije.

Ajo kërkoi nga gjykata drejtësi për birin e saj, duke thënë se prokuroria në vend se të mbroj atë si të dëmtuar, kishin mbrojtur të akuzuarin.

E dëmtuara Temaj, tha se prokuroria pas një kohe të gjatë hetimeve, kanë vazhduar me akuzën për rrezikimi i trafikut publik, ku sipas saj kjo është absurditet.

E dëmtuara Temaj, lidhur me aksidentin e birit të saj, tha se e kuptoi nga një vajzë e vogël e familjarëve të saj, ku e kishte njoftuar se J. ishte rrëzuar, dhe këtë e ka kuptuar pasi që tani të ndjerin e kishin dërguar për në Prishtinë.

“Mjekët me kanë thënë se nuk ka shpresë për djalin, dhe nuk është e mujtshme që prej bagazhit mu rrzu në tokë. Ai ka goditje me mjet të fort, por unë nuk e kuptojsha. Pas pesë ditëve u ardhë Gzim Temaj (babai i të akuzuarit), me tha “Kumri ka ndodh çka ka ndodh, një herë kemi qenë duel si në filma, me shuplaka, tani ia ka nis me thupra, tani me shufra””, tha e dëmtuara Temaj.

Ajo tha se ato shufra i kishte gjetur pas vdekjes së birit, dhe atë në vendin e ngjarjes afër 5-6 metrave dhe të njëjtat kanë qëndruar në shtëpinë e saj për 2-3 muaj.

Më pas, i akuzuari Eraj Temaj, pati vërejtje në deklarimin e të dëmtuarës, ku i njëjti me leje nga gjyqtarja Sabrije Temaj, vazhdoi ta jep versionin e tij se si ka ndodhur rasti.

“Ai kur u rrzu ka qenë 10 metra me vetura, ai ka ardhë mbrapra, ka qenë me Beharin edhe Smjalin,… dhe ka tentu me hyp në gepek gjatë lëvizjes së veturës”, tha i akuzuari Temaj.

Më pas u dëgjua edhe dëshmitari Ukë Zikollaj, i cili tha se kishte qenë afër 40-50 metra larg automjetit “BMW” kur ishte rrëzuar tani i ndjeri J.T.

“Një “Golf 3” edhe një “BMW”, aty kanë qenë qeta djemtë edhe unë jam ndalë e kam ndal kerrin dhe veç dritat ia kam lënë kerrit. Kur jam ndal aty jom kon tu kqyr në telefon edhe e kom ndi grun që u rrzu. Qaj djali prej gipekut, ai u rrzu prej “BMW”-së, kur ka thanë gruja që o rrzu unë jom dal prej kerrit”, tha dëshmitari Zikollaj.

Tutje, dëshmitari Zikollaj tha se ai kishte shkuar ta shoh nga afër viktimën, por sipas tij, personat tjerë që ishin me të e kishin future në veturë dhe e kanë dërguar për në Klinë, ndërsa ai kishte vazhduar për në shtëpinë e tij.

Ai tha se viktimën e kishte parë të rrëzuar me shpin për toke dhe duke i lëvizur këmbët.

Më në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Bleon Zikollaj, i cili tha se me të dëgjuar zhurmën ka dalë nga shtëpia dhe ka parë personin Behar, duke dalë nga shtëpia e tij i cili kishte marr ujë.

“Fillimisht J. u kon i shtrirë, “BMW” u kon edhe jo qaq afër, shokët e tij Behari, Murati, Eraji edhe Smajli jon kon tu ia jep ndihmën e parë… unë i kam ndihmu me fut në kerr dhe jam shku me ta në spital në Klinë”, tha dëshmitari Zikollaj.

Në deklaratën e tij të dhënë në prokurori dëshmitari Zikollaj kishte thënë se duke vozitur pas 100 metrave viktimës i kishte ardhur vetëdija dhe se ka thënë se “kom dhimt, mos vozit shpejt edhe mos i tregoni mamit”, deklaratë kjo të cilën ai e pohoi se është e vërtetë.

Paraprakisht, në këtë seancë është dhënë dhe fjala hyrëse, ku prokurori Ramiz Buzhala, deklaroi se pretendimet e akuzës do të vërtetohen gjatë seancës gjyqësore me provat materiale dhe personale, si dëgjimi i dëshmitarëve në aktakuzë, nënës së viktimës e cila pranë gjykatës me dëshminë e saj do të vërtetojë faktin se çka ka vepruar ditën kritike tani i ndjeri, bisedën e fundit përmes telefonit si dhe rrethanat tjera.

Me deklaratat e dëshmitarëve prokurori Buzhala tha se gjykata do të vërteton faktin se si ditën kritike tani i ndjeri është takuar me dëshmitarët e propozuar, ku do mësohet qëllimi i takimit dhe lidhur me rrethanat se si ka ardhur deri te aksidenti.

Ndërkaq, përfaqësuesi i të dëmtuarës, avokati Xhemajl Ademaj, tha se ata shpresojnë se gjatë këtij shqyrtimit gjyqësor do të sqarohet nga provat materiale se a ka qenë incident apo ka qenë aksident, ku sipas tij, bazuar në raportin e autopsisë thuhet se vdekja ka ardhur nga goditja me mjet mprehtë.

Avokati Ademaj tha se e kundërshtojnë ekspertizën e komunikacionit, ku sipas tij, ajo është e mangët.

“Natën kritike të 27 majit 2022, para hetuesve policor dëshmitari okular i ngjarjes Murat Temaj, deklaron ishin ka bisedojmë me J. tema të ndryshme, vetëm kur filloi të vrapon dhe u rrëzu, pra ky dëshmitarë e eliminon rënien nga automjeti”, tha avokati Ademaj.

Tutje, i njëjti tha se gjatë marrjes në pyetje të ekspertëve, do t’i paraqesin edhe disa dëshmitarë, të cilët sipas tij, janë të njoftuar me ngjarjen e që nuk ekzistojnë në shkresat e lëndës.

Më pas, në fjalën hyrëse mbrojtësi i të akuzuarit Temaj, avokati Flamur Kelmendi tha se kjo aktakuzë është përpiluar me konstatime hipotetike dhe se me asnjë prove materiale apo dëshmi të dëshmitarëve.

“Unë them se kjo ekspertizë e bërë nga ana e ekspertit të komunikacionit bie ndesh me të gjitha dëshmitë e dëshmitareve të proceduara si në polici ashtu edhe në prokurori edhe bie ndesh edhe me provat tjera materiale, e të cilat prova saktësisht shpjegojnë apo na bëjë me dije se lëshim në këtë çështje është bërë nga vet viktima”, tha avokati Kelmendi.

Seanca e sotme është ndërpre për shkak të mungesës së disa dëshmitarëve tjerë, ndërsa e radhës do të vazhdon në muajin prill të këtij viti.

Ndryshe, sipas aktakuzës, i akuzuari Eraj Temaj, po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Rrezikim i trafikut publik”, sepse më 27 maj 2022, rreth orës 21:14 në fshatin Shtupel të Klinës, nga pakujdesia kishte shkelur ligjin mbi trafikun publik apo transportin rrugor dhe rrezikoi jetën e njerëzve, e cila rezultoi me vdekjen e këmbësorit tani të ndjerit J.T.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Temaj, ishte duke qëndruar në rrugë së bashku me shokët e tij, në një moment niset me automjetin e tij me qëllim që ta largojë veturën nga rruga, aty viktima J.T., njëri nga shokët e të pandehurit ishte ulur mbi bagazh të automjetit, i akuzuari Temaj nuk e vëren fare këmbësorin e ulur mbi bagazh të veturës së tij dhe gjatë lëvizjes së veturës J.T humb stabilitetin e tij fiksues dhe për pasojë rrëshqet dhe bie në sipërfaqe të fortë asfalt duke rënë me kokë, me ç‘rast pëson lëndime të rënda trupore, ku gjatë trajtimit mjekësor pranë QKUK-së, në Prishtinë, i njëjti ndërron jetë më datë 16 korrik 2022, si pasojë e aksidentit.

(Kosova Sot Online )