Shefja e delegacionit malazez: Anëtarësimi i Kosovës në KiE i hap rrugë territoreve të tjera të diskutueshme që të kërkojnë anëtarësim

  • E.K /
  • 27 March 2024 - 12:49
Shefja e delegacionit malazez: Anëtarësimi i Kosovës në KiE i hap rrugë territoreve të tjera të diskutueshme që të kërkojnë anëtarësim

“Pranimi i Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të ishte precedent serioz dhe unë do të votoj kundër”, tha kryetarja e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Bashkimit Evropian (PSSE), Maja Vukiçeviq.

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës do të mbajë sot, më 27 mars, diskutimin për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në atë organizatë panevropiane, si dhe votimin për miratimin e raportit të relatorja kryesore për pranimin e Kosovës, Dora Bakojani.

Partia Popullore Demokratike (DNP), anëtare e së cilës është Vukiçeviq, ka njoftuar më herët se ka mbështetje të plotë për votën kundër pranimit të Kosovës në PSSE.

Në një prononcim për “aloonline”, Vukiçeviq ka thënë se për këtë vendim ka mbështetje nga qytetarët e Malit të Zi.

“Ajo që është gjithashtu interesante është se asnjë nga subjektet politike nuk ka reaguar ndaj kërcënimeve të bëra ndaj meje, gjë që flet shumë për standarde të dyfishta, sepse në të kaluarën ka pasur mundësi të reagohet ndaj komenteve shumë më të padëmshme”, ka shtuar Vukiçeviq.

Ajo tha se pranimi i Kosovës në PSSE “do t’i hapte rrugën territoreve të tjera kontestuese për të kërkuar anëtarësim në institucionet ndërkombëtare”.

“Këshilli i Evropës është aleancë e shteteve dhe në skenën ndërkombëtare nuk ka konsensus nëse Kosova është shtet. Kosova nuk njihet si shtet nga gjysma e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shtetësia e Kosovës nuk është njohur nga pesë vende të Bashkimit Evropian, kështu që do të ishte vërtet një precedent serioz nëse Kosova do të pranohej”, tha ajo.

Vukiçeviq thekson se DNP mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të saj, duke respektuar marrëveshjen e nënshkruar me shumicën parlamentare.

“Ne votuam për çdo gjë që ishte e rëndësishme, veçanërisht në gjyqësor, por gjithashtu u qëndrojmë besnikë bindjeve tona ideologjike dhe parimeve politike”, përfundoi kreu i delegacionit malazez në PSSE.

(Kosova Sot Online)