Prokuroria në pritje të raporteve për biznesmenin që u gjet i vdekur nën ashensor

  • A.P /
  • 27 March 2024 - 16:26
Prokuroria në pritje të raporteve për biznesmenin që u gjet i vdekur nën ashensor

Një muaj më parë, nën ashensorin e objektit ku banonte, është gjetur i vdekur biznesmeni nga Gjilani, Musah Hamiti. Mirëpo, rrethanat se si vdiq nuk janë zbardhur akoma, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Paraprakisht, 66-vjeçari kishte qenë në burg në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan. Nga ajo qendër, ai ishte liruar më 9 janar dhe po atë ditë ishte raportuar si person i zhdukur. Dyshimet e para ishin se i njëjti ishte rrëmbyer meqë kishte pasur me vete mbi 86 mijë franga dhe për këtë arsye Prokuroria kishte nisur hetimet në drejtim të kësaj vepre. Mirëpo, këto para, 350 euro të tjera, tre telefona mobil dhe sende të tjera personale, janë gjetur në çantën e tij.

Nga Prokuroria Themelore e Gjilanit kanë thënë se janë duke vazhduar hetimet për këtë rast.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Liridona Xheladini ka deklaruar se janë në pritje të raporteve të ekzaminimeve dhe raportit të autopsisë. Për të zbuluar se si ka ndodhur rasti, janë angazhuar ekspertë të Fakultetit Teknik lidhur me funksionalitetin e ashensorit dhe janë bërë urdhëresa për ekzaminimin e telefonave.

“Sipas kërkesës suaj ju njoftojmë se në rastin konkret janë duke u ndërmarrë veprime hetimore. Gjithashtu jemi në pritje të raporteve të ekzaminimeve dhe raportit të autopsisë. Për të gjitha veprimet e tjera do të njoftoheni me kohë”, ka deklaruar Xheladini.

Si u gjet Hamiti dhe çka deklaruan familja e tij?

Pas gjetjes së trupit, janë deklaruar edhe nga familja e biznesmenit. Vëllai i tij, Lajmërim Hamiti, ka thënë se ai e kishte kërkur vëllanë e tij në të njëjtin vend ku u gjet, por se nuk kishte vërejtur asgjë.

”Në vendin ku është gjetur trupi i pajetë unë me një kushëri timin kam qenë për të kërkuar, kemi shikuar në lift nuk kemi parë asnjë trup dhe nuk ke ndjerë asnjë erë”, ka thënë Hamiti.

Hamiti ishte gjetur i vdekur nën ashensor mbrëmjen e 26 shkurtit. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, e kishte konfirmuar rastin.

“Ju njoftoj se me datë 26.02.2024 rreth orës 22:37, Policia e Kosovës stacioni policor në Gjilan kanë marrë një informatë se në bodrumin e një ashensori të një ndërtese në rrugën Gjilan-Kamenicë  është vërejtur një person i cili dyshohet të jetë i vdekur. Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit dhe të gjitha njësitet relevante, ku me urgjencë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në obduksion.”, kishte thënë Hashani.

Një ditë më vonë, Prokuroria Themelore e Gjilanit kishte dalë me një komunikatë për rastin.

Prokuroria kishte thënë se Hamiti ishte raportuar i zhdukur më 9 janar dhe se pas raportimit dyshimet e para kanë qenë në drejtim të veprës penale “Rrëmbimi, meqë i njëjti pas lirimit nga qendra e paraburgimit në Lipjan, kishte pasur me vete 86,250 franga zvicerane.

Në njoftim thuhej se pas gjetjes së personit të zhdukur, në çantën e tij është gjetur edhe shuma e lartcekur e të hollave prej 86,250 Franga zvicerane, si dhe 350 Euro, tre telefona mobil dhe sende tjera personale.

“Prokurori i shtetit ka dhënë urdhër që trupi i pa jetë i të ndjerit të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Po ashtu janë angazhuar ekspertë nga fakulteti teknik, me qëllim të ekspertimit të funksionalitetit teknik të ashensorit, janë bërë urdhëresa për ekzaminimin e telefonave dhe janë ndërmarrë veprime tjera hetimore. Lidhur me veprimet e tjera të mëtutjeshme do të jeni të njoftuar me kohë”, thuhej në njoftim.

(Kosova Sot Online)