Ahmeti: Serbia do të vazhdojë lobimin kundër Kosovës duke shkelur marrëveshjet, pa asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian

  • S.A /
  • 03 April 2024 - 09:03
Ahmeti: Serbia do të vazhdojë lobimin kundër Kosovës duke shkelur marrëveshjet, pa asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje Bazë në shkurtin e vitit 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Dhe, sipas nenit 4 të Marrëveshjes së shkurtit, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, transmeton "Kosova Sot Online".

Por një gjë të tillë Serbia e bëri më 27 mars 2024, kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin për Kosovën, ku rekomandohej që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës, duke votuar kundër.

Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se Serbia do të vazhdojë lobimin kundër Kosovës, kësisoj, edhe shkeljen e marrëveshjeve.

“Më 27 mars u shënua rasti më i fundit i shkeljeve të vazhdueshme që Serbia ia bën Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Marrëveshjes mbi Aneksin Zbatues të 18 marsit. Shkelja e parë e hapur e këtyre dy marrëveshjeve ndodhi po ashtu në Këshillin e Evropës, më 24 prill të vitit 2023. Për këto dy shkelje dhe të gjitha shkeljet që Serbia ia ka bërë së paku 8 pikave nga 11 pikat e Marrëveshjes Bazike, ajo nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, që do të shërbente si metodë e obligimit të saj për respektimin dhe zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve. Me këtë mungesë të masave nga Bashkimi Evropian, pritjet tona janë që Serbia do ta vazhdojë lobimin kundër Kosovës, që nënkupton shkeljen e mëtutjeshme të Marrëveshjeve”, tha zëvendësministri Ahmeti në një intervistë për gazetën online Reporteri.net.

(Kosova Sot Online )