Takimi në Presidencë me Osmanin, Kurtin e Konjufcën – a i çoi QUINT “kushtet” për ecjen e Kosovës në KiE?

  • S.A /
  • 04 April 2024 - 11:42
Takimi në Presidencë me Osmanin, Kurtin e Konjufcën – a i çoi QUINT “kushtet” për ecjen e Kosovës në KiE?

Mbrëmë, Presidenca e Kosovës u bë nikoqire e një takimi të tre udhëheqësve kosovarë me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë. Gjithë ajo çka nxori Presidenca për publikun ishte një fotografi dhe një përshkrim që tregonte për temën e diskutuar aty, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Takimi i Presidentes Osmani, Kryetarit Konjufca dhe Kryeministrit Kurti bashkë me ambasadorët e shteteve të Quint-it lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Presidenca.

Megjithatë, asnjë njoftim zyrtar nuk është lëshuar deri tash nga asnjëri prej institucioneve që udhëheqin Osmani, Konjufca e Kurti. Po ashtu, as nga vetë QUINT.

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara ishin ndër më të zëshmit në kërkesën e tyre ndaj Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e pronës së Manastirit të Deçanit.

Pasi Kosova u kushtëzua me progres në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës, kryeministri Albin Kurti muajin e kaluar urdhëroi Kadastrin për regjistrimin e tokës Manastirit të Deçanit. Ky vendim çoi në një fitore të Kosovës gjatë një votimi në Paris në mbledhjen e Komitetit për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Europës që e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE.

Vendimi i Kosovës u mirëprit nga ambasadorët e QUINT, të cilët dolën me një deklaratë të përbashkët.

“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian mirëpresin dhe përgëzojnë qeverinë e Kosovës për veprimin për të zbatuar vendimin e Gjykata Kushtetuese të vitit 2016, që konfirmon pronësinë e Manastirit të Deçanit të disa hektarëve tokë. Udhëzimi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës për të regjistruar këtë tokë në emër të Manastirit të Deçanit dhe sigurimi që ky veprim është përmbyllur paraqet hap të rëndësishëm përpara të autoriteteve kosovare në përputhje me aspiratat evropiane dhe euroatlantike. Siç kemi deklaruar në maj të vitit të kaluar në përvjetorin e vendimit të Gjykata Kushtetuese, zbatimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë obligime të të gjitha qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe parakushte të domosdoshme për integrimin e Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhej në deklaratë.

Sidoqoftë, Kosova ka ende rrugë përpara në ambicien e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Europës.

Në Asamblenë Parlamentare pritet të ketë debat më 16 prill dhe nëse aty merret miratimi, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Kosova ka aplikuar në majin e vitit 2022 për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Sidoqoftë, vendet e QUINT deri tash nuk kanë qenë unike për atë se a i ka plotësuar Kosova kushtet për anëtarësim. Emisari Amerikan Gabriel Escobar gjatë vizitës së fundit në Prishtinë tha se duhet duhet të plotësohej edhe dy kushte duke përmendur Asociacionin dhe shpronësimet në Veri. Nuk dihet nëse QUINT i ka ‘zyrtarizuar’ këto dy kërkesa për krerët e shtetit të cilët në një letër dërguar raportueses Bakoyannis janë zotuar se marrëveshjet përfshirë Asociacionin do të implementohen pas anëtarësimit në KiE.

(Kosova Sot Online )