Shaip Kamberi e Nevzad Lutfiu takuan Lajçak-un, e njoftuan me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës

  • E.K /
  • 05 April 2024 - 13:46
Shaip Kamberi e Nevzad Lutfiu takuan Lajçak-un, e njoftuan me sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu sot në Bruksel takuan emisarin e BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje tjera në Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, ku e njoftuan për sfidat me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, përcjell “Kosova sot Online”.

Lutfiu, ka shkruar se e kanë njoftuar Lajçakun për hezitimin dhe mosgatishmërinë e shtetit për të integruar shqiptarët nëpër institucione shtetërore e për gatishmërinë që sistemi shtetëror e ka treguar për pasivizimin e shqiptarëve.

Po ashtu, Lutfiu ka shkruar se e njoftuan Lajçakun edhe për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën.

“Mosintegrimi i shqiptarëve në institucione i bënë institucionet jokredibile e diskriminuese, ndërsa aplikimi i pasivizimit tendencioz në vendet ku jetojnë shqiptarët mundëson ndryshimin e strukturës etnike në ato vendbanime. Medvegja është shembulli më i mirë. Njoftuam z. Lajçak për rëndësinë dhe impaktin që për të diplomuarit nga Lugina do të kishte njohja e diplomave të Kosovës dhe se njohja e tyre do të nënkuptonte mundësi për një perspektivë të re për Luginën”, tha ai.

(Kosova Sot Online)