Vuçiq flet pas takimit me emisarin gjerman: S’u pajtuam për asgjë

  • A.P /
  • 05 April 2024 - 16:15
Vuçiq flet pas takimit me emisarin gjerman: S’u pajtuam për asgjë

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për një takim që ka pasë me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se me të s’është pajtuar për asgjë dhe se i ka thënë se Serbia është vend i vogël, por me “njerëz krenarë” që do t’i kundërvihen “përçmimeve” në Këshill të Europës për Kosovën dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për Srebrenicën.

Sidoqoftë, Vuçiq pretendoi se i intereson paqja në rajon dhe se për këtë gjeti pajtim me të dërguarin gjerman.

“Një takim i sinqertë dhe jashtëzakonisht i vështirë me Manuel Sarrazin. Ne nuk pajtohemi pothuajse për asgjë, përveç pikëpamjes se është e nevojshme të ruhet paqja në Ballkanin Perëndimor. I thashë Mamuel Sarrazinit se Serbia është një vend i vogël territorialisht dhe numerikisht, por një vend i njerëzve krenarë, që do të kundërshtojnë poshtërimet e përgatitura për të në Këshillin e Evropës dhe OKB”, ka shkruar Vuçiq në Instagram, raporton Gazeta Express.

Vuçiq po planifikon të pengojë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës përmes themelimit të një ekipi special, të cilit i prijnë ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Ndërkaq, sa i përket Srebrenicës, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, siç është paralajmëruar, pritet të vendosë në rend dite Projekt-Rezolutën për Srebrenicën, ku ndër të tjera do të përfshihet shpallja e 11 korrikut si “Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë”, gjë të cilën po e kundërshton Vuçiqi.

(Kosova Sot Online)