A do ta zëvendësojë Pahor - Lajçakun?

  • A.P /
  • 10 April 2024 - 15:31
A do ta zëvendësojë Pahor - Lajçakun?

Gazeta sllovene “Delo.si”, ka shkruar sot se kryeministri i Sllovenisë, Roberto Golob e mbështet pa kushte ish presidentin e Sllovenisë Borut Pahor që ta zërë postin e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Sipas kësaj gazete, Golob muajin e kaluar ka lobuar tek krerët e vendeve të BË-se, që Pahor ta zërë vendin e Miroslav Lajçak, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Nga zyra e kryeministrit Golob kanë thënë sot se kanë dhënë mbështetje të pakushtëzuar që Pahor të marrë pozitën e përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Ata shtuan se gjatë muajit të kaluar Golob ka zhvilluar bisedime të shumta bilaterale me liderët e vendeve evropiane si dhe me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Evropian, për këtë çështje.

Kryeministri shprehet i bindur se “ish-presidenti Pahor ka dëshmuar me punën dhe përvojën e tij politike të deritanishme se është një mik i madh i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekjet e tij, si dhe përpjekjet e Sllovenisë, kanë për qëllim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke siguruar paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në këtë mënyrë të gjithë Evropën”.

Mandati i Miroslav Lajçak përfundon në muajin gusht. 

(Kosova Sot Online)