Vuciq betohet se nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë: Askush nuk mund ta shantazhojë Serbinë

  • S.A /
  • 12 April 2024 - 07:40
Vuciq betohet se nuk do të vendos sanksione ndaj Rusisë: Askush nuk mund ta shantazhojë Serbinë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se nuk është e vërtetë që presidenti francez Emmanuel Macron e ka shantazhuar atë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj për këtë çështje, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Serbia është krenare për qëndrimin e saj. Askush nuk mund ta shantazhojë Serbinë. Thonë se Macron më ka shantazhuar për shkak të memo në Sky. Kjo nuk është e vërtetë. Kam pasur një takim miqësor me Macron dhe jam krenar për rezultatet e atyre bisedimeve”, tha Vuçiq në konferencën në vilën “Mir”.

Ai tha se vendet e Quintit janë dashamirës ndaj kryeministrit të Kosovës, Aljbin Kurti dhe se “po gënjejnë kur thonë se fajin e ka Beogradi”.

Ai u ankua dhe u viktimizua se se populli serb do të sulmohet në muajt e ardhshëm, por se ai dhe bashkëpunëtorët e tij do të luftojnë me të gjitha mjetet për të ruajtur reputacionin e vendit.

Vuçiq në vitin 2022 prezantoi konkluzat e arritura në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, lidhur me krizën në Ukrainë.

Duke lexuar konkluzat, Vuçiq tha se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë për momentin, sepse ajo “udhëhiqet nga interesat e saj jetike ekonomike dhe politike”.

Çfarë thotë konkluzat e Serbisë?

Në konkluzion thuhet se Serbia i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës dhe se e konsideron të gabuar shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës.

Por, në konkluza, operacionet ruse nuk u quajtën pushtim i Ukrainës, gjë e cila është qëndrim i vendeve evropiane.

Në fillim të konkluzave thuhet se “Serbia sinqerisht shpreh keqardhje” për ngjarjet në lindje të Evropës. Gjithashtu është thënë se Rusia dhe Ukraina janë shtete mike të Serbisë dhe se populli serb i “konsideron si popuj vëllazëror”.

Sipas konkluzioneve, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë, në bashkëpunim me organet e tjera kompetente, do të marrë masa për mbrojtjen e sigurisë së shtetasve serbë që banojnë në Ukrainë.

Gjithashtu thuhet se shteti do të pengojë pjesëmarrjen e qytetarëve serbë në konfliktet në Ukrainë, si dhe që do të sanksionohen të gjithë “vullnetarët” që përfshihen në atë konflikt.

Siç u theksua, Serbia do të ofrojë çdo lloj ndihme për njerëzit e rrezikuar dhe popullatën e Ukrainës.

Siç është thënë, Serbia do të pezullojë stërvitjet ushtarake me të gjithë partnerët e huaj deri në një njoftim të dytë.

Vuçiq tha se Serbia e mori vendimin “me maturi, me kokë të ftohtë, në interesin më të mirë të Serbisë”.

Ai theksoi që konkluzat e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do t’i procedohen Qeverisë në 48 orët e ardhshme.

“Pozicion i vështirë”

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për sanksionet kundër Rusisë, Vuçiq para disa muajsh tha:

“Si mendoni, se ne thjesht do të vendosim sanksione ndaj Federatës Ruse brenda natës, e cila është e vetmja që nuk ka vendosur sanksione ndaj nesh në vitet ‘90, që nuk vendosën sanksione ndaj Republikës Sërpska (entitet në Bosnjë e Hercegovinë)”, pyeti Vuçiq, duke shtuar se Rusia mbronte interesat e Serbisë përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Rusia mbështet Serbinë në luftën kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Vuçiq shtoi se Serbia është në “pozitë të vështirë”, sepse edhe Ukraina e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë dhe se Serbisë “asnjëherë nuk i ka bërë asgjë të keqe”.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës në orët e para të 24 shkurtit. Shtetet perëndimore kanë dënuar veprimet e Rusisë dhe kanë vendosur sanksione ndaj Moskës.

Nga vendet e rajonit, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kroacia kanë dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës.

Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Ndërkaq, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina janë të vetmet që nuk e kanë dënuar agresionin rus.

(Kosova Sot Online )