Fillon edhe regjistrimi online i diasporës, Gërvalla thirrje mërgimtarëve – MPJD sqaron si mund të regjistrohen

  • S.A /
  • 13 April 2024 - 08:55
Fillon edhe regjistrimi online i diasporës, Gërvalla thirrje mërgimtarëve – MPJD sqaron si mund të regjistrohen

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka dalë me një thirrje për mërgimtarët, lidhur me procesin e regjistrimit të popullsisë, transmeton "Kosova Sot Online".

Gërvalla u ka bërë thirrje të gjithë mërgimtarëve që të regjistrojnë vetën dhe anëtarët e tyre të familjes.

Kosova ka nisur regjistrimin online të Diasporës në kuadër të Procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, me qëllim që edhe diaspora si pjesë e pandashme e Kosovës të marrë pjesë në këtë proces ”i cili do të ndihmojë shumë në zhvillimin dhe hartimin e politikave efikase, të dedikuara për mërgatën, përmirësimin e shërbimeve ndaj mërgatës dhe në planifikimet më të mira për të ardhmen”.

Në njoftimin e MPJD’së thuhet se regjistrimi i të gjithë qytetarëve që janë lindur në Kosovë ose që kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës mund të bëhet përmes formularit online që gjendet në: ediaspora.rks-gov.net.

“Moduli i regjistrimit të Diasporës po implementohet në kuadër të platformës eDiaspora, dhe përfshinë iniciativën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në bashkëpunim me Agjencinë e Statistikave të Kosovës për mbështetjen e procesit të regjistrimit të pjesëtarëve të Diasporës. Regjistrimi i Popullsisë realizohet nga data 5 prill deri më 17 maj 2024, dhe përfshinë një prej proceseve më të rëndësishme zhvillimore për vendin. Diaspora është pjesë integrale e shoqërisë kosovare, andaj pjesëmarrja e çdo pjesëtari të Diasporës është kontribut i drejtpërdrejtë për këtë proces të rëndësishëm për vendin”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online )