Nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e kalimit në Morinë

  • E.K /
  • 13 April 2024 - 11:42
Nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e kalimit në Morinë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ai i Shqipërisë, Taulant Balla, kanë nënshkruar sot marrëveshjen, e cila mundëson lëvizjen me procedura të shpejtuara përgjatë 9 muajve të vitit për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës në pikën e kalimit të kufitar në Morinë, transmeton "Kosova Sot Online".

Balla ka publikuar pamje nga ceremonia e nënshkrimit, derisa tha se periudha e përfshirë është nga 1 maj deri më 30 shtator dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt.

“Përmes këtij nënshkrimi të këtij protokolli të ri, ne do të mundësojmë lehtësimin e procedurave të kalimit, të verifikimit kufitar në pikën e përbashkët Morinë – Kukës për të gjithë periudhën 1 Maj – 30 Shtator dhe 1 Nëntor – 28 Shkurt, pra 9 muaj gjithsej në vit, në ndryshim nga protokolli në fuqi që parashikonte 4 muaj, konkretisht vetëm 1 Qershor deri në 30 Shtator. Gjatë kësaj periudhe të qarkullimit të lehtësuar nuk do të ketë kontrolle pasaportash, karta identiteti për shtetasit, e theksoj për shtetasit e të dy vendeve tona“, tha Balla.

Ndërkohë, Sveçla tha se do të ketë edhe marrëveshje tjera, që qytetarët të mos ndjenjë në asnjë moment kufizimet.

“Në vazhdimësi po thellojmë bashkëpunimin, jemi të vendosur për më shumë për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve tanë e të jemi sa më efikas në luftimin e krimit në vendet tona. Do të ecim para në marrëveshje të tjera, në mënyrë që qytetarët tanë të mos t’i ndjejnë në asnjë moment kufizimet, as mos ta dinë ku ndodhen realisht, por që janë të mirëseardhur në Kosovë apo Shqipëri, në sezonin veror apo dimëror. Me qasjen burokraci zero, të punojmë që bashkëpunimi të jetë në nivelet më të larta. Edhe Policitë tona të bashkëpunojnë sikurse bashkëpunojnë Departamentet brenda policisë”,tha ministri Sveçla.

https://fb.watch/rq3oqSVHG0/

(Kosova Sot Online)