Ministri Peci akuzon Përparim Ramën: Po e bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë

  • S.A /
  • 22 April 2024 - 12:31
Ministri Peci akuzon Përparim Ramën: Po e bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama se po e bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, transmeton "Kosova Sot Online ".

Përmes një postimi në Facebok, ministri Peci është shprehur se Rama ka bllokuar çdo procedurë që ka të bëjë me ndërtimin e objektit të MBPZHR-së. Ndërsa i ka quajtur banale arsyet e zyrtarëve komunal.

“Mirëmëngjes Përparim Ramës i cili përmes administratës së tij bllokon ndërtimin e objektit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural! Qytetarët e Prishtinës por edhe qytetarët e Kosovës duhet ta dinë që Përparim Rama ka bllokuar çdo procedurë për ndërtimin e Objektit të MBPZHR-së! Sot është dita e 73-të nga dita e paraqitjes së kërkesës dhe dita e 42-të e kalimit të afatit kohor që Përparim Rama ka mohuar pajisjen e MBPZHR-së me kushtet e ndërtimit të objektit!”, ka shkruar Peci.

Peci ndër të tjera ka rikujtuar se Përparim Rama dhe Ekzekutivi i Komunës së Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi përgjegjësitë ligjore të cilat iu takojnë karshi kërkesave të MBPZHR-së, siç janë përgjegjësitë ndaj aksioneve të inspektorëve.

“Qartësojmë për qytetarët e Kosovës, se bllokimi i ndërtimit të Objektit të MBPZHR-së, ndër të tjerat mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë vetëm në vitin e parë nga akreditimi në IPARD, si dhe liron buxhetin e shtetit nga barra e qirasë së lartë. Njëherit ky objekt do të akomodojë zyrtarët e institucionit tonë dhe agjencive përkatëse ekzekutive. Përparim, hap krahun përparimit të Kosovës”, ka shkruar Peci.

(Kosova Sot Online )