Kosova u kritikua ashpër nga aleatët pas aksionit në veri ku u konfiskuan miliona dinarë dhe para tjera

  • E.K /
  • 22 May 2024 - 07:34
Kosova u kritikua ashpër nga aleatët pas aksionit në veri ku u konfiskuan miliona dinarë dhe para tjera

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës nisi një aksion në veri të vendit, ku mbylli disa zyra financiare të të ashtuquajturës “Banka Postare Kursimore”.

Një ditë pas këtij aksioni policor në veri, sigurisht, nuk kanë munguar reagimet. Madje, ato kanë ardhur nga ShBA-ja, BE-ja, Britania e Madhe e OSBE-ja, të cilat kanë qenë goxha kritikë ndaj Qeverisë Kurti.

Në sytë e ShBA-së, ky veprim policor kundër këtyre degëve të BPK-së serbe e minon perceptimin se Kosova vepron me vullnet të mirë, duke kërkuar që Kosova t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja…Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit” – tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Përmes një komunikate për medie, BE-ja i ka konsidueruar këtë operacion policor si të njëanshëm e të pakoordinuar. Në njoftimin zyrtar të Shërbimit të Jashtëm, BE-ja ka deklaruar se krejt këto veprime janë akte përshkallëzuese dhe në kundërshtim me frymën e normalizimit.

“Bashkimi Evropian ka parë me shqetësim operacionin policor të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare Serbe në veri të Kosovës.

Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të Dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe mirëbesimin e Kosovës në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thekson komunikata e BE-së.

Përveç BE-së, kritike ndaj këtij aksioni policor në veri ka qenë edhe Britania e Madhe. Në një reagim të ambasadës britanike në rrjetin social “X”, theksohet se Britania e Madhe është e shqetësuar se tensionet mund të rriten pas këtyre veprimeve.

“Jemi të shqetësuar që aksioni i djeshëm i Policisë në veri të Kosovës rrezikon të eskalojnë tensionet dhe ta bëjë më të vështirë gjetjen e një zgjidhje afatgjatë për çështjen e valutës… “Inkurajojmë autoritet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të përkushtohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, thuhej ndër të tjera në postimin e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.

Në lidhje me këtë temë, ka reaguar edhe OSBE-ja.

“Misioni i OSBE-së po monitoron me shqetësim në rritje veprimet e marra nga Policia e Kosovës ndaj institucioneve financiare në komunat në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe në Mitrovicë të Veriut. OSBE-ja mirëpret përpjekjet e BE-së, si ndërmjetësues i dialogut Prishtinë-Beograd, për të gjetur një zgjidhje për të ecur përpara rreth transaksioneve me cash” – tha OSBE-ja.

(Kosova Sot Online)