Kremlini mohon pretendimin e Trumpit

  • A.P /
  • 23 May 2024 - 17:00
Kremlini mohon pretendimin e Trumpit

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, që është kandidat për president nga Partia Republikane për zgjedhjet presidenciale, pretendoi se presidenti rus, Vladimir Putin, do ta lironte “pothuajse menjëherë” gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, pas zgjedhjeve, nëse ai fiton, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump nuk dha detaje se si ai do të lehtësonte lirimin e Gershkovichit, por tha vetëm se Putin “do ta bënte këtë për mua”.

Pas këtij postimi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Trump dhe Putin nuk kanë pasur asnjë kontakt. Ai shtoi se duhet “një heshtje e plotë” për të “arritur rezultate” për çdo këmbim të të burgosurve.

Gershkovich është në burg në Rusi që nga marsi i vitit të kaluar. Autoritetet ruse e akuzojnë për spiunazh.


Si Gershkovich, ashtu edhe gazeta ku ai punon mohojnë akuzat, duke thënë se gazetari 32-vjeçar po bënte punën e tij si gazetar i akredituar kur u arrestua.

(Kosova Sot Online)