
Kurti publikon pamje nga takimi me afaristët shqiptarë në Turqi: Ata janë përfaqësimi i shtetit dhe popullit tonë në Turqi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vizitën e tij në Turqi është takuar dje me mërgatën shqiptare atje, përcjell “Kosova Sot Online”.
Kurti falënderoi afaristët shqiptar për bisedat e këndshme dhe mikpritjen që siç theksoi ai, do ta mbaj mend përherë.
Kurti shtoi se ata janë përfaqësimi i shtetit dhe popullit tonë në Turqi.
Postimi i plotë:
Çdo vizitë e jona jashtë vendit shoqërohet me njohje nga afër e shkëmbime të rëndësishme me pjesëtarë të mërgatës sonë. As në Turqi nuk mund të mungonin këto takime, aty ku mërgata jonë është e madhe dhe e suksesshme.
Gjatë dy ditëve në Stamboll, takuam afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare nga sektorë të ndryshëm që veprojnë në Turqi dhe bashkëbiseduam e u shoqëruam me mërgatën në Qendrën Kulturore në Zejtinburnu.
Ata janë përfaqësimi i shtetit dhe popullit tonë në Turqi, lidhja ndërmjet dy shteteve dhe popujve dhe bartin një rol qenësor në afirmimin e vendit tonë dhe zhvillimin gjithmonë e më të madh të tij.
Ju faleminderit shumë për bisedat e këndshme dhe për mikpritjen që do ta mbajmë mend përherë.
(Kosova Sot Online)