Rreth 20 nxënës në Kosovë e lënduan vetën të frymëzuar nga ky rrjet social
Rreth 20 nxënës të tri shkollave fillore në Kosovë, të frymëzuar, siç thonë udhëheqësit e shkollave, nga videot në rrjetin social, TikTok, i kanë shkaktuar vetes prerje, gërvishtje, e shenja në trup, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Policia e Kosovës është duke e trajtuar rastin, sociologët, Këshilli i Prindërve të Kosovës, por edhe drejtorët e shkollave po kërkojnë mobilizim dhe vetëdijesim mbi përdorimin e rrjeteve sociale.
Shtatëmbëdhjetë nga këta nxënës vijojnë mësimin në shkollën “Mihal Grameno” dhe “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë, ndërsa tre prej tyre vijojnë mësimin në shkollën “17 Shkurti”, në fshatin Gllogovc të Komunës së Lipjanit.
TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, që përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.
Nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë të informuar për këto raste, por pa dhënë detaje tjera, porse që janë “ndërmarrë veprimet e nevojshme”.
(Kosova Sot Online)
