
Bislimi pret Asociacionet Familjare të të Zhdukurve

Zëvendëskryeministri Besnik Bislim ka pritur sot në takim përfaqësues të Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, përgjatë bisedës, fillimisht u përshëndet bashkërisht miratimi i rezolutës në muajin maj në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për njohjen e gjenocidit serb në Srebrenicë dhe shënimin e 11 korrikut si “Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës”.
E njëjta dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
ZKM thotë se në këtë takim “u theksua rëndësia e ndërkombëtarizimit edhe të gjenocidit të kryer nga Serbia në Kosovë, për të cilën organizatat mund të mbështeten plotësisht në përkrahjen e Qeverisë, si dhe u nënvizua domosdoshmëria për zbardhjen e krimeve, masakrave dhe planeve të strukturuara të saj për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës e vënia para drejtësisë e përgjegjësve të krimeve”.
“Republika e Kosovës vijon në përpjekjet e saj të pareshtura institucionale në këtë drejtim, por i cili fatkeqësisht përballet me mosgatishmëri, mohim dhe hezitim nga autoritetet serbe për zbardhjen e tyre. Serbia, tashmë e njohur ndërkombëtarisht si shtet gjenocidal, duhet të përballet me të kaluarën dhe të mbahet përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë”.
Pjesëmarrës në këtë takim ishte dhe drejtuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti si dhe Kushtrim Gara./
(Kosova Sot Online)