
Kritika për shtatoren e ish-Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair ka edhe në Mbretërinë e Bashkuar

Shtatorja e ish-Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, që u përurua në Ferizaj më 12 qershor për Ditën e Çlirimit, është kthyer në temë diskutimi edhe në Kosovë, edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se shtatorja më shumë i ngjason aktorit dhe këngëtarit Australian, Jason Donovan.
Për këto komente ka raportuar dje mediumi “Independent“. Komentet filluan pas publikimit të fotografisë së statujës nga ish-sekretari i Blair, Alistair Campbell, në një përpjekje për të inkurajuar publikun që të votojë për Partinë Laburiste.
“Statuja e Tony Blair u zbulua në Kosovë. Nuk jam i sigurt nëse, dhe ku, do të ngrihen statuja për ndonjë nga pesë kryeministrat që kanë çuar vendin tonë mbrapa në 14 vitet e fundit. Votoni për Partinë Laburiste nëse dëshironi një qeveri serioze që bën punë të mëdha”, shkroi Campbell.
Mediumi shkruan tutje se shumë përdorues në rrjetet sociale nuk mund t’u besonin syve të tyre kur panë figurën e zbuluar, dhe shumë prej tyre menduan se kishte ndodhur një gabim. Krahasimet e statujës së Blair me aktorin australian Jason Donovan, i njohur për rolin e tij në serialin “Neighbours,” u bënë virale dhe shkaktuan të qeshura të mëdha.
(Kosova Sot Online)