Dënohen me nga 2 vjet e gjysmë burgim ish-kryetari i Malishevës dhe ish-ministri i Tregtisë

  • A.P /
  • 11 July 2024 - 19:50
Dënohen me nga 2 vjet e gjysmë burgim ish-kryetari i Malishevës dhe ish-ministri i Tregtisë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ish-ministrit Bajram Hasani, Bashkim dhe Malë Krasniqi, të cilët akuzoheshin për keqpërdorime rreth “Zonës ekonomike” të Malishevës, kurse ka liruar nga akuza Hajdin Berishën, Faton Thaqin, Ahmet Rrahmanajn dhe Nazimi Kafexhollin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 1 korrik 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Ragip Begaj, Hajdin Berisha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Faton Thaqi, Nazmi Kafegjollii dhe Ahmet Rrahmani.

Sipas aktakuzës, Ragip Begaj, Hajdin Bersiha, Bashkim Krasniqi, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Nazmi Kafexholli dhe Faton Thaqi, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ahmet Rrahmanaj, akuzohet për veprën penale “Shpëlarje parave”, ndërsa Nazmi Kafexholli akuzohet edhe për veprën penale “Mashtrim”.

Ata po ngarkohen se duke keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tyre zyrtar, kanë krijuar Zonën Ekonomike në Malishevë, në zonat kadastrale Banjë, Bellanicë dhe Senik me qëllim të shpronësimit të tokave të blera me çmim të ulët, me një çmim shumë më të lartë.


(Kosova Sot Online)