
Borrell: Shtetet baltike kanë njoftuar për desinkronizimin nga rrjeti elektrik BRELL

Operatorët e sistemit të transmetimit të energjisë baltike njoftuan zyrtarisht Rusinë dhe Bjellorusinë për moszgjatjen e të ashtuquajturës kontratë BRELL dhe tërheqjen e tyre nga sistemi i energjisë elektrike post-sovjetike i kontrolluar nga Moska në shkurt të vitit 2025, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Lëvizja nga Lituania, Letonia dhe Estonia, të tria vende anëtare të NATO-së, u pa si një hap drejt Europës Perëndimore.
Këtë hap të tyre e ka lavdëruar edhe shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, i cili tha se është një hap i rëndësishëm edhe në kontekstin e luftës në Ukrainë,
“Shtetet baltike kanë njoftuar për desinkronizimin nga rrjeti elektrik BRELL me Rusinë për t’u bashkuar me rrjetin elektrik të BE-së në vitin 2025. Është një hap i madh drejt unitetit të BE-së dhe larg kontrollit të Rusisë. Strategjikisht i rëndësishëm edhe në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës”, ka shkruar Borrell.
Ish-ministri lituanez i energjisë, Zygimantas Vaiciunas, tha se sistemi energjetik i Lituanisë është gati të punojë në modalitetin sinkron me rrjetet evropiane, megjithëse do të duhet të përfundojë përgatitjet teknike, siç janë testet e kompensuesve sinkron, në gjashtë muajt e ardhshëm. Tre prej tyre janë instaluar në Lituani në përgatitje për shkyçjen nga BRELL.
Vaiciunas paralajmëroi se Rusia ose Bjellorusia mund të ndërmarrin veprime provokuese në përgjigje të këtij vendimi të shteteve baltike, por probabiliteti i tyre nuk ishte i lartë. Sipas tij, kompanitë kanë një plan veprimi për t’iu përgjigjur provokimeve të mundshme.
“Mund të ketë provokime, por sigurisht që jemi të përgatitur për t’u marrë me to”, tha ai.
(Kosova Sot Online)