Dosja e Prokurorisë ndaj 23 të akuzuarve për mashtrim me “Call Center”: 4 milionë euro dëmi i pretenduar nga të dëmtuarit

  • s.a /
  • 29 July 2024 - 09:55
Dosja e Prokurorisë ndaj 23 të akuzuarve për mashtrim me “Call Center”: 4 milionë euro dëmi i pretenduar nga të dëmtuarit

Dosja e Prokurorisë për 23 të akuzuarit për mashtrim me “Call-Center”, tregon për një skemë të organizuar kriminale për përfitim të kundërligjshëm në formën e të ashtuquajturës “Cybertranding” apo tregtisë kibernetike, transmeton "Kosova sot Online ". 

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 6 qershor 2024, të pandehur në këtë rast janë: Andi Fosa, Kushtrim Gecaj, Idriz Lipa, Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, Florida Hoti, Ilir Sejdija, Suana Peja, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivi Xhahysa, Alen Dhimitri, Erald Lila, Adem Muqiqi, Klodina Recani, Elmedina Recani, dhe Qamile Abazi.

I akuzuari kryesor për drejtimin e këtij grupi kriminal, 36-vjeçari nga Shqipëria, Andi Fosa ngarkohet në dy dispozitiva të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, ai akuzohet se si pronar i kompanisë “Future Media”, bashkë me Kushtrim Gecajn dhe Idriz Lipën si pjesë e menaxhmentit që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri më 31 mars 2021 kishin vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki.

Ndërkaq, për të akuzuarit Mendim Tetaj, Drin Hajredini, Visar Kabashi, Ardit Zllanoga, Leotrim Haxhiaj, Çlrim Qelaj, Mario Kepi, Fatmir Kala, thuhet se ishin në pozitën e operatorëve telefonik, duke telefonuar qytetarët gjermanë që kanë qenë të interesuar dhe tani janë të dëmtuar. Këta të akuzuar, thuhet se janë paraqitur me emra të rrejshëm me qëllim që t’i bindin të bëjnë pagesa në emër të investimit, me premtimin se do fitojnë shuma të larta parash.

Kurse, Florida Hoti, akuzohet se në pozitën “Back office”, duke vepruar si anëtare e këtij grupi ishte marrë me sigurimin e kontakteve dhe të dhënat e personave të interesuar në Gjermani dhe caktimin e agjentëve me të cilët ata do bashkëpunonin.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, mashtrimi përmes “Cybertranding” ishte kryer përmes platformave që paraqiten si tregtarë në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com, në të cilat shtetasit gjermanë kishin investuar, por që këto para kishin përfunduar në llogarinë e kompanisë “Future Media LLC”.  Dëmi i pretenduar vetëm nga të dëmtuarit nga kjo kompani është afër 4 milionë euro.

Për këtë, Andi Fosa akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Të akuzuarit, Gecaj, Lipa, Hajredini, Tetaj, Kabashi, Zllanoga, Haxhiaj, Qelaj, Kepi, Kala dhe Hoti, akuzohen po ashtu për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga paragrafi 1 dhe veprën penale të “Mashtrimit”.

Andi Fosa, për të cilin në aktakuzë thuhet se ka gjendje të dobët ekonomike, bashkë me Idriz Lipën dhe Kushtrim Gecajn, akuzohen edhe për shpëlarje parash në bashkëkryerje nga 2020 deri më 31 mars 2021.

Sipas aktakuzës, në llogaritë e kompanive “Future Media” dhe “Media Data”, në Prishtinë, kanë hyrë para nga shtete si Çekia, Britania e Madhe, Hungaria, Irlanda, Polonia, Latvia, Sllovakia dhe Bullgaria, përmes bankave korrespodente në Gjermani, të cilat ishin fituar përmes “Call Center”.

Kështu, në mënyrë që këto para të fituara kundërligjshëm të duken si pasuri e fituar në mënyrë të rregullt, këto mjete janë deponuar në kompanitë “Idan Color” që merret me riparimin dhe ngjyrosjen e veturave dhe “Fosa Beuty Center”.

Në aktakuzë thuhet se këto kompani kishin lëshuar fatura fiktive në emër të shërbimeve të cilat nuk kishin ndodhur kurrë dhe nuk arsyetonin shumën e transaksioneve që ishin rreth 300 e 50 mijë euro, ku mbi 242 mijë euro me vendim të gjykatës janë ngrirë dhe mbi 107 mijë euro janë paguar në emër të ATK-së.

Të tre, akuzohen për veprën penale “Shpëlarje parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.

Për ndihmë në shpëlarjen e këtyre parave, po akuzohen edhe Erald Lila dhe Adem Muqiqi, të cilët në cilësinë e punëtorëve të “Idan Color”, me seli në Prishtinë kishin ndihmuar tre të akuzuarit Fosa, Lipa dhe Gecaj në shpëlarjen e parave duke lëshuar fatura fiktive si dhe kishin bërë pagesa me para në dorë (cash) për kompani tjera të furnizimit në mënyrë që të kishin rritje të qarkullimit për të arsyetuar lëvizjen e parave të kundërligjshme.

Për këtë, ata akuzohen për “Ndihmë në shpëlarjen e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 33 të KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.

Sipas Prokurorisë, Klodiana Raçani, Elmedina Reçani dhe Qamie Abazi, akuzohen se në bashkëkryerje kishin ndihmuar Andi Fosën t’i fsheh afër 2 milionë euro, duke i marrë nga banesa e tij dhe dërguar në banesën e tyre, por pas informatave operative të njëjtat ishin gjetur dhe sekuestruar.

What Will Happen to Your Body if You Eat Ginger Every DayHealthsupportmag.com
by Taboola

Për këtë, ato akuzohen se në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, par 3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.

Për vepra të ngjashme kriminale po akuzohen edhe dy kompani tjera 

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se Ilir Sejdija dhe Suana Peja, që nga 2018 deri më 31 mars 2021 duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe strukturuara, ku i akuzuari Fiorin Dervishi si pronar dhe menaxher i kompanisë “Wise Marketing Call SHPK” dhe  “Wise Marketing Center SHPK” dhe bashkë edhe me Nexhmedinë Makovcin, kanë qenë pjesë e këtyre kompanive si “team leader”,  e që ka pasur edhe pozitën e operatorëve  telefonik, me dashje dhe me qellim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, përmes platformave të tilla të njëjtit paraqiten në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com.

Tutje thuhet se të pandehurit të cilët kanë mbajtur ato pozita “Retention” dhe “FTD” në këtë kompani kanë kontaktuar me persona të interesuar në Gjermani, (tani të dëmtuar) përmes telefoni duke u paraqitur me emra të rrejshëm, me të vetmin qellim që të bindin të bëjnë pagesa në llogarit të ndryshme në shtete në shtete të ndryshme duke i vë të njëjtit në lajthitje me premtime se kinse për të nxjerr fitime të larta e që ata besonin që këto pagesa kanë përfunduar në llogaritë të kompanisë  Wise Marketing Call SHPK” dhe  “Wise Marketing Center SHPK”.

Dëmi i shkaktuar nga këto kompani vetëm nga ana e të dëmtuarve që janë paraqitur është mbi 4 milionë euro.

Aty thuhet se udhëheqësi i grupit, Fiorin Dervishi ishte ekstraduar në Gjermani. Përveç tij, në Gjermani ishte ekstraduar edhe Nexhmedin Merovci i cili mbante pozitën e operatorit telefonik dhe pas ekstradimit të dy kanë përfunduar procedurat gjyqësore.

Sejdija dhe Peja, po akuzohen për “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277, paragrafi 1 lidhur me veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Në anën tjetër, Argjent Veseli, Agim Nezha, Ivo Xhahysa dhe Alen Dhimitri po akuzohen se nga fundi i vitit 2020 deri më mars 2021 si operatorë telefonik në kompaninë “Big Fuse”, kanë mashtruar dhe vënë në lajthim të interesuarit në Gjermani për të bërë tregti kibernetike, por që “investimet” e tyre i kishin kaluar kompanisë.

Kështu, të dëmtuarve të paraqitur iu kanë shkaktuar dëm mbi 360 mijë euro. Andaj, akuzohen për “Mashtrim” nga neni 323, par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar konfiskimin e mbi 2 milionë e 320 euro, 9 veturave, katër prej tyre në pronësi të Andi Fosa, një e Fiorin Dervishajt, një e Fatmir Kalas, një e Kushtrim Gecajt dhe një veturë të Erald Lilës.

Ndërkaq, i akuzuari Andi Fosa në Prokurori kishte deklaruar se kompaninë “Future Media” e kishte themeluar në vitin 2017 e që më 2018-ën e kishte shitur. Ai kishte thënë se aktiviteti i kësaj kompanie ishte kryesisht me telemarketing, e që i ka pasur 10 deri në 15 punëtorë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Fosa në Prokurori ka thënë se komunikimet me kompanitë e jashtme i kanë bërë përmes kontratave e më pas përmes komunikimeve me e-mail dy herë në muaj ku kanë raportuar për punën e tyre.

I pandehuri Fosa kishte treguar në Prokurori për deponimet dhe transferet e shumta që kishin ndodhur në llogaritë e tij private, në kompaninë “Fosa Beauty Center” e po ashtu në kompaninë “Idan Color” ku ishte bashkëpronar. Ai kishte thënë se të gjitha të hyrat kanë qenë nga dividenta, pagesa mujore, ndërsa në kompaninë “Fosa Beauty Center” përmes pagesave të klientëve.

Sipas tij, puna që është bërë në “Idan Color” ka qenë e rregullt dhe me letra e që po ashtu nuk ka pas transaksione në mes kësaj kompanie dhe kompanisë “Future Media” në kohën sa ai ka qenë bashkëpronar. Fosa kishte thënë se paratë që i ka pasur në llogarinë personale i ka fituar me rolin e punës që ka pasur në këto kompani.

Ndërsa, për shumën e parave të gjetura që arrinin shumën mbi një milion e gjysmë euro, aktakuza thotë se Fosa nuk ka dhënë shpjegim për burimin e tyre, duke e lënë hapur mundësinë që në fazat e mëvonshme të procedurës të japë përgjigje për ato.

I pandehuri Gecaj kishte deklaruar se në vitet 2016-2017 kishte qenë drejtor në “Future Media” pronar i të cilës ka qenë Idriz Lipa e përpara tij ishte Andi Fosa. Gecaj kishte deklaruar se detyra e tij ka qenë puna me shërbime, prezantim i produkteve (gaz dhe rrymë) si dhe një pyetësor.

(Kosova Sot Online )