
Ministrat e rinj në qeverinë shqiptare, Edi Rama i prezanton në mbledhjen e grupit

Ministrat e rinj që i janë shtuar kabinetit të qeverisë së Edi Ramës janë prezantuar në mbledhjen e grupit parlamentar një ditë pasi ndryshimet u bënë publike nga kryeministri i Shqipërisë në Kongresin Zgjedhor të PS, transmeton "Kosova Sot Online".
Kush janë ministrat e rinj
Ervin Hoxha – ministër i Brendshëm
Me spostimin e Taulant Ballës në ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, në vend të tij vjen Ervin Hoxhaj i cili ka mbajtur detyrën e drejtorit të IKMT. Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.
Ka kryer me sukses detyra të larta në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me VKM nr. 57 dhe së fundmi drejtues i IKMT.
Pirro Vengu – ministër i Mbrojtjes
Pirro Vengu do të jetë ministër i Mbrojtjes. Deri më tani ka mbajtur postin e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, ndërsa më herët ka qenë drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri.
Petrit Malaj – Ministër i Financave
Ervin Mete largohet nga qeveria duke i lënë vendin Petrit Malajt si Ministri i ri i Financave. Malaj aktualisht mban postin e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN). Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e grupit të PS?
Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama e ka nisur fjaën e tij në mbledhje me një falënderim për Taulant Ballën, Niko Peleshin dhe Ervin Meten për kontributin e tyre në krye të këtyre ministrive.
Në të njëjtën linjë me fjalimin e mbajtur në Kongres ka vijuar me kritikat për deputetët që sipas tij nuk janë mjaftueshëm aktivë por shfaqen në mbledhje dhe takime sa për të dalë në foto.
Kohën që kanë në dispozicion deri në zgjedhjet e ardhshme Rama e quajti një test që do vendosë nëse do të përfshihen në listat e kandidatëve për deputet.
“Detyra e deputetit matet me kilometrat e bëra në këmbë në vendin ku jeton komuniteti që i ka dhënë mandatin. Deputeti mund të jetë ose jo i gojës, por nuk mund të jetë tjetër veçse shembulli që dëgjon njerëzit dhe të zhvillojë dijet me problemet që duhet të merret, të zgjidhë halle të mëdha dhe të vogla. Të jesh deputet i kësaj partie, e konsideroj privilegj të pakrahasueshëm dhe të zgjidhesh deputet nga shumica e shqiptarëve është borxh që nuk lahet dot kurrë”, tha Rama një ditë më parë në Kongresin e PS.
(Kosova Sot Online)