
Pas informacioneve për atentat Gjukanoviqit i shtohen masat e sigurisë

Policia malazeze ka shtuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, pas informacioneve se ndaj tij po përgatitet një atentat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kjo u bë e ditur më 14 korrik, pasi një ditë më parë disa media në Mal të Zi, të cilat duke u thirrur në burime nga sektori i sigurisë, njoftuan se një grup kriminal nga rajoni po përgatitej të vriste Gjukanoviqin dhe se ish-presidenti i Malit të Zi ishte informuar për këtë nga një anëtar i paidentifikuar i shërbimeve të huaja.
“Policia ka marrë informacionin e duhur nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare [ANB]. Theksojmë se besueshmëria e informacionit është ende duke u kontrolluar nga ANB-ja. Menjëherë pas marrjes së informacionit, Policia, Prokuroria dhe ANB-ja morën masa të mëtejshme dhe veprime në juridiksionin e tyre në mënyrë të sinkronizuar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Autoritetet thonë se menjëherë pas marrjes së informacionit, nga ana e prokurorisë kompetente është iniciuar rast.
(Kosova Sot Online)