APK pa vendim lidhur me rastin ku Ministria ndau 257 mijë euro për organizatën që e drejtonte Hajrullah Çeku
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ende nuk ka dalë me ndonjë vendim lidhur me rastin ku Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau 257 mijë euro për organizatën që dikur e drejtonte vetë kreu i kësaj ministrie, Hajrullah Çeku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Nga kjo agjenci kanë thënë se rasti vazhdon të jetë në procedurë të shqyrtimit për konflikt interesi, derisa kanë bërë me dije se rasti është iniciuar nga vetë Çeku.
“Referuar pyetjeve tuaja, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, ju njofton që rasti vazhdon të jetë në procedurë të shqyrtimit për konflikt interesi të inicuar nga vet pala. Procedura e Agjencisë për konflikt interesi është konfidenciale dhe vetëm pas përfundimit të rastit, do të mund të ju njoftojmë me vendimin final”, thuhet në përgjigje.
Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe” renditet e treta në listën preliminare të publikuar në fund të qershorit nga MKRS’ja për thirrjen publike “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2024.
Për këtë vit, Ministria ka paraparë të ndajë për këtë organizatë 82 mijë euro, vitin e ardhshëm 85 mijë, derisa për vitin 2025 do t’i ndajë 90 mijë euro. Në total, organizatën ku punonte dikur, Çeku do ta mbështes me 257 mijë euro.
Se Çeku ka qenë i angazhuar në këtë organizatë figuron edhe në biografinë e tij.
“Përgjatë viteve ka qenë i angazhuar në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare, në mesin e të cilave edhe Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, Klubi për Politikë të Jashtme dhe EC Ma Ndryshe”, thuhet në biografinë e publikuar në blogun e tij.
Ndërkohë, në sajtin e kësaj organizate figuron se Çeku ka qenë drejtor deri në fillim të vitit 2017, kur e kishte marrë pozitën kryetari i ri.
“Sipas vendimit për emërimin e drejtorit të ri ekzekutiv, Edon Mullafetahu pozitën e drejtorit do ta marrë nga 1 janari i vitit 2017, ndërsa muajt e mbetur do të jenë periudhë transitore për bartjen e përgjegjësive. Drejtori ekzekutiv aktual, Hajrulla Çeku, pas këtij ndryshimi do të vazhdojë të jetë pjesë e stafit të organizatës.
(Kosova Sot Online)