
Krasniqi: 9 shkurti do të shënojë ikjen e Qeverisë Kurti dhe ardhjen e Qeverisë Hamza

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi ka reaguar pasi presidentja Vjosa Osmani shpalli 9 shkurtin, datë të zgjedhjeve të rregullta të Kuvendit të Kosovës, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".
Krasniqi përmes një shkrimi në Facebook tha si parti opozitare kishin kërkuar që 26 janari 2025 të jetë data e zgjedhjeve, dhe se kjo shtyerje ishte e panevojshme. Por, që sipas tij, kjo tashmë ka pak rëndësi.
Ai thekson se 9 shkurti është data e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, sipas tij, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
Postimi nga Krasniqi:
Edhe pse si PDK kishim kërkuar që data e zgjedhjeve të rregullta parlamentare të jetë 26 janari i vitit të ardhshëm, sot Presidentja e Kosovës ka dekretuar 9 shkurtin 2025 si datë kur qytetarët duhet t’u drejtohen kutive të votimit.
Për ne kjo shtyrje është e panevojshme, por tashmë kjo ka pak rëndësi. Mbi të gjitha, e rëndësishme është se tani kemi një datë, e cila do të shënojë ikjen e një qeverie të papëregjegjshme dhe ardhjen e një tjetre, kredibile e të aftë, në krye me Bedri Hamzën.
Siç na e dëshmon edhe historia, me PDK-në dhe Bedriun në timon, Kosova do të rikthehet në rrugën e munguar të zhvillimit, integrimit, partneritetit e miqësisë së mirëfilltë. Është koha që të bëhemi bashkë edhe një herë për Kosovën që e ëndërrojmë të gjithë.
(Kosova Sot Online)