
Qyteti i dytë më i madh i Kroacisë është mbuluar nga një re tymi

Më shumë se 300 zjarrfikës kroatë po luftojnë prej disa ditësh me një zjarr të madh në afërsi të zonës turistike të Splitit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Qyteti i dytë më i madh i Kroacisë prej së hënës është mbuluar nga një re tymi për shkak të zjarrit që ka përfshirë malin pranë tij dhe që ka djegur rreth 700 hektarë.
Shoqata Kroate e Zjarrfikësve tha se zjarri filloi në Žrnovnica, pas një goditjeje rrufe të dielën. Ai u shuan për t’u riaktivizuar sërish të martën me rritjen e temperaturave.
Rajoni ka parë temperatura mbi mesataren dhe kushte të thata gjatë muajit të kaluar që kanë krijuar kushte ideale për zjarret.
(Kosova Sot Online)