Kryeministri Kurti takohet me ministrin francez për Europën

  • A.P /
  • 18 October 2024 - 13:44
Kryeministri Kurti takohet me ministrin francez për Europën

Kryeministri Albin Kurti është takuar me ministrin për Europë të Francës, Benjamin Haddad, para nisjes së Forumit Ekonomik të Kosovës në Paris, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zyra e Kryeministrit tha se derisa “u riafirmuan marrëdhëniet e fuqishme mes Kosovës dhe Francës”, Kurti dhe Haddad diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit veçanërisht në sferën ekonomike, në kuadër edhe të forumit të sotëm, si një mundësi e mirë për më shumë shkëmbime, bashkëpunime e investime mes kompanive të dy vendeve.

“U trajtua edhe rrugëtimi i procesit të integrimit europian të Kosovës. Në fokus ishin dhe çështjet rajonale me theks në bashkëpunimin rajonal”.

Kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Haddad për mbështetjen e tij të vazhdueshme ndaj Kosovës dhe bashkëbisedimin e takimin e sotëm.

Prezent në takim ishte dhe i dërguari special i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Trocaz.

(Kosova Sot Online)