Gashi: Qëllimi i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut është të kemi barazi

  • A.P /
  • 26 October 2024 - 13:38
Gashi: Qëllimi i shqiptarëve në Maqedoni të Veriut është të kemi barazi

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në “Public Square” të Ditmir Buashatit, ka folur për zhvillimet politike në Maqedoni të Veriut që lidhen kryesisht me qasjen e shtetit atje ndaj shqiptarëve dhe gjithashtu dhe për funksionimin e Qeverisë së re mes VMRO-DPMNE dhe koalicionit të partive shqiptare “VLEN”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gashi ka thënë se qëllimi i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është që të ketë barazi dhe ka thënë se këtë çështje do ta hapin në të ardhmen.

Kreu i Kuvendit maqedonas ka thënë se janë duke punuar edhe aktualisht, për të bindur partitë politike maqedonase, pozitë e opozitë, se barazia s’i bën dëm askujt.

“Qëllimi i shqiptarëve të Maqedonisë ka qenë që të kemi barazi në këtë shtet. Do të duhet të rihapet kjo çështje në të ardhmen, pse jo edhe tash ne po mundohemi t’i bindim partnerët maqedonas, pozitë e opozitë, se barazia në vend nuk i bën dëm askujt, por është në të mirën e të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Gashi.

Lidhur me raportimet e bëra në media sa i përket ligji për gjuhët zyrtare dhe përdorimin e shqipes, Gashi ka thënë se s’ka ndryshuar asgjë në mënyrë substanciale.

“S’ka ndryshuar asgjë në mënyrë substanciale, qoftë tek përdorimi i gjuhës, qoftë tek barazi kombëtare”, ka thënë Gashi.

(Kosova Sot Online)