
Disa të arrestuar nga operacioni anti-drogë, njëri zyrtar policor

Policia e Kosovës ka njoftuar se dje ka realizuar një operacion të koduar “Freeshop”, gjatë të cilit kanë arrestuar tre persona të dyshuar, një prej tyre zyrtar policor, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Atyre u janë gjetur 370 gramë substancë narkotike, një peshore, tri thika dhe 4870 euro para të gatshme.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në kuadër të parandalimit dhe luftimit të pa kompromis të abuzimit me substanca narkotike, pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, dje më 29.10.2024, ka realizuar operacionin e koduar me emrin “Freeshopi” me ç ‘rast janë arrestuar tre (3) persona të dyshuar, njëri nga ta zyrtar policor. Gjatë realizimit të planit taktik antidroga e Policisë së Kosovës e mbështetur edhe nga njësitet për reagim të shpejtë (NJRSH) tek personat e dyshuar dhe gjatë kontrollit në trup dhe në lokacionet të tyre ka gjetur sasi e substancave narkotike me peshë rreth 370 gram, një peshore, tri thika dhe para të gatshme (4870) euro.”
Për përfshirjen e zyrtarit policor është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës.
Tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
“Në konsultim me Prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rasti dhe tre personat e dyshuar dërgohen në qendrën e mbajtjes për proceduar të mëtejme ligjore. Rasti mbetet të hetohet nga antidroga e Policisë së Kosovës (PK), Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prishtinë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për luftimin e të gjitha veprave penale dhe arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar, pavarësisht rolit dhe funksionit që kanë.”
(Kosova Sot Online)