Weber përmend emrin e Grenell si një prej tyre që mund të marrë poste në politiken e jashtme
Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka sjellë paqartësi në Evropë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Dhe, kjo mjegulli vlen edhe për qasjen që administrata e tij do të ketë ndaj procesit të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Rol në shkallën e përfshirjes së administratës së Trumpit për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të luajnë edhe ngjarjet e mëhershme, si dhe personat që ishin të përfshirë në ndërveprimin me Kosovën gjatë mandatit të parë të Trumpit si president i SHBA-së.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, ka përmendur emrin e Grenell si një prej tyre që mund të marrë poste në politiken e jashtme.
“Do të varet nga ajo nëse zyrtarët kryesorë që ishin të përfshirë në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të Trumpit [2017-2020], veçmas Richard Grenell, do të marrin poste në politikën e jashtme apo do të marrin ndonjë post tjetër në administratën e re”, thotë Bodo Weber në një prononcim për rel.
Grenell, bashkëpunëtor i ngushtë i Trumpit, atëbotë ishte edhe i dërguar i SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pasur një sërë mosmarrëveshjesh me Grenellin, i cili e kishte cilësuar shefin e ekzekutivit kosovar si “antiamerikan”. Ndërkaq, Kurti kishte pretenduar se emisari amerikan kishte gisht në rrëzimin e Qeverisë së tij të parë, në marsin e vitit 2020.
(Kosova Sot Online)