
Kandiq flet për letrën e Krstiqit ku ai pranon fajin

Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, tha se letra e të dënuarit të Hagës dhe ish-komandantit të Korpusit Drina të Ushtrisë së Republika Srpska, Radislav Krstiq, në të cilën ai pranonte fajin për gjenocidin në Srebrenicë dhe shprehte keqardhje, është e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, por edhe për viktimat, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Kandiq tha se nuk është e rëndësishme nëse dëshmia e Krstiqit është e sinqertë, por se është shumë më e rëndësishme që “dikush që ishte komandant i Korpusit të Drinës, i cili mori pjesë në ekzekutimin e gjenocidit, e pranoi atë, me shumë detaje, me argumente të mëdha”.
“Është diçka e rëndësishme jo vetëm për Serbinë, por edhe për viktimat. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite nga ngritja e aktakuzës dhe gjykimi ndaj Krstiqit, ka ardhur momenti që ai ta thotë. Ai nuk i ka ndryshuar pikëpamjet e tij për vite me radhë, nuk e ka njohur atë gjenocid, edhe pse ka paraqitur kërkesa për lirim të parakohshëm, por tani po shkruan një letër që të jetë në dispozicion të publikut”, tha Kandiq.
“Publiku është krejtësisht indiferent, media është krejtësisht indiferente, do të thosha se mund të interpretohet lehtësisht si përbuzje, heshtje dhe shpërfillje e asaj që ka thënë në letër. E gjithë kjo është një tregues i situatës shumë të keqe në Serbi, që qeveria shumë qartë e injoron dhe e përbuz këtë, se tradhtoi atë ‘botën serbe’, se tradhtoi narrativën për Srebrenicën”, tha Kandiq.
Sipas saj, qeveria e pështyn në heshtje, ai nuk ekziston për qeverinë, nuk ekziston njohja e gjenocidit dhe të gjithë kanë për detyrë ta heshtin këtë njohje.
Krstiq, i dënuari i parë i Gjykatës së Hagës, vendimi i të cilit i referohej gjenocidit në Srebrenicë, nxiti publikun në rajon duke publikuar letrën e tij në të cilën ai pranon fajin për gjenocidin, mbështet Rezolutën e OKB-së për Srebrenicën si dhe shpreh keqardhjen dhe dëshiron të shkojë në Potoçari dhe të përkulet para viktimave.
(Kosova Sot Online)