Nagavci: Dialogu social mes MASHT-it dhe SBASHK-ut nuk ka munguar

  • A.P /
  • 05 December 2024 - 07:48
Nagavci: Dialogu social mes MASHT-it dhe SBASHK-ut nuk ka munguar

Sindikata e Arsimit ka protestuar duke kërkuar nga Ministria e Arsimit nënshkrim të kontratës kolektive, rritje të pagave të mësimdhënësve, e nisje të dialogut social. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, tha se Kontratat kolektive nuk mund të negociohen në kohë të fushatave elektorale e se rritja e pagave tashmë ka ndodhur, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ministrja Nagavci tha se dialogu social mes MASHT-it dhe SBASHK-ut nuk ka munguar asnjëherë. Ajo shtoi se janë të gatshëm si ministri për një dialog të mirëfilltë për bashkëpunim konstruktiv, por theksoi se dialogu nuk nënkupton imponim të kërkesave, apo përfillje të kërkesave të vetëm njërës palë.

“Në këtë pikë është e rëndësishme të përmendim që një ndër kërkesat e vazhdueshme përfshirë edhe kërkesën për të cilën u bë grevë para dy viteve, ka qenë rritja e pagave. Dhe nëse e shohim gjendjen aktuale të pagave në sektorin e arsimit, ka një rritje të dukshme që nga marrja e mandatit e deri më sot. Pra njëra nga kërkesat, që ka të bëjë me rritjen e pagave është pothuajse e përmbushur”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)