Pasi Abdixhiku e la jashtë listës për deputet, flet Agim Veliu

  • A.P /
  • 05 December 2024 - 10:52
Pasi Abdixhiku e la jashtë listës për deputet, flet Agim Veliu

Lidhja Demokratike e Kosovës të mërkurën ka prezantuar listën finale të kandidatëve për deputet nga radhët e LDK-së, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por jashtë kësaj liste ka lënë Agim Veliun, politikanin që para pak kohësh ishte ndër figurat kryesore të partisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

LDK ka vendosur që kandidat për deputet nga Podujeva të jenë: Ekrem Hyseni, Fatlume Jaha, Fehmi Zeqiri, Mustafe Abazi dhe Qëndrim Softolli.

Pas vendimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, për mos përfshirjen e Agim Veliut në listë, ka folur ky i fundit.

“Vendimi është marrë nga ata që aksidentalisht janë në krye të partisë”, u shpreh shkurtimisht ai.

Agim Veliu kishte qenë kryetar i Podujevës për disa mandate, ai po ashtu është deputet i Kuvendit të Kosovës. Para pak kohësh, Veliu kishte deklaruar se  “për të gjithë ata që pretendojnë që në çfarëdo forme të më shohin jasht LDK-së, e kam një porosi: askush dhe asnjë forcë nuk mund ta largojë Agim Veliun nga LDK-ja”.

Ndryshe, LDK tashmë ka nisur takimet me qytetarë për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, duke prezantuar programin e partisë dhe kandidatët për deputet.

(Kosova Sot Online)