PZAP hedh poshtë ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimit të KQZ’së

  • A.P /
  • 10 January 2025 - 08:44
PZAP hedh poshtë ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimit të KQZ’së

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e hodhi poshtë si të palejuar ankesën e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), kundër certifikimit të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Partia në pushtet i kërkoi javën e kaluar PZAP-it që ta shfuqizojë vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për certifikimin e Listës Serbe.

“Hidhet poshtë e palejuar... ankesa e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje... kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohej anulimi i Vendimit të KQZ-së i datës 31.12.2024, dhe urdhërohej KQZ-ja të nxirrte vendim tjetër”, thuhet në njoftimin e PZAP-it të enjten.

Në fund të muajit të kaluar, PZAP-i e urdhëroi KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe, pasi e pranoi ankesën e partisë serbe ndaj vendimit të fillestar të komisionit për moscertifikimin e saj, duke thënë se kjo parti kishte dorëzuar dokumentacionin në përputhje me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe me rregullat e tjera të KQZ-së.

LVV-ja e humbi betejën ndaj këtij vendimi edhe në Gjykatën Supreme, e cila më 31 dhjetor e cilësoi ankesën e saj si të palejuar.

PZAP-i tha se duke qenë se Gjykata Supreme e ka vërtetuar vendimin e saj më 31 dhjetor, vendimi i saj "duhet të zbatohet dhe për këtë nuk ka nevojë për votim".

Një ditë më parë, KQZ-ja e miratoi përmbajtjen e fletëvotimit për Zgjedhjet, me Listën Serbe pjesë të saj.

Përfaqësuesit e partisë në pushtet e kanë arsyetuar kundërshtimin e certifikimit të Listës Serbe duke thënë se kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe vazhdon ta quajë atë provincë autonome të Serbisë, "Kosova dhe Metohia".

Ndër arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja është edhe fakti se partia serbe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

(Kosova Sot Online)