
Zbulohet se bashkëpunëtorja e Vuçiqit mblodhi dhe drejtoi takime institucionale për punimet hekurudhore

Një bashkëpunëtore e ngushtë e presidentit Aleksandër Vuçiq, Natasha Vukshiq, ka luajtur një rol të fshehtë në projektin për rindërtimin dhe përshtatjen e hekurudhës me Hungarinë, mëson portali Ekonomia e re, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Ishte pothuajse dy e mëngjesit kur inxhinieri Milutin Savoviq i dërgoi një email Anita Dimoskës, ndihmës ministres së Ndërtimit, në lidhje me punën në hekurudhën për në Budapest.
“Raporti për Njësinë 9 është i plotë. E dërgova për nënshkrim elektronik. Pres që raundi i nënshkrimit të përfundojë nesër gjatë ditës”, ka shkruar Savoviq, përcjell Ekonomia.
“Seksioni 9” është një pjesë e hekurudhës drejt Hungarisë, e cila përfshin edhe stacionin hekurudhor të Novi Sadit.
Savoviq, pronar i kompanisë Trioprojekt, ishte kryetar i Komisionit për inspektimin teknik të punimeve hekurudhore, duke përfshirë edhe këtë stacion.
Vetëm dhjetë orë pasi dërgoi emailin, tenda e stacionit u shemb, duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur rëndë tre. Një nga të plagosurit ka ndërruar jetë ditët në vijim.
Tragjedia e paprecedentë u pasua me shkarkimin e zyrtarëve të lartë, protesta masive dhe ngritjen e aktakuzave kundër 13 personave, mes tyre edhe ish-ministrit Goran Vesiq, si dhe ndihmësit të tij Dimoski.
Mirëpo, një detaj nga emaili i dërguar nga Savoviq duket se i ka shpëtuar të gjithëve deri më tani.
Përveç Anita Dimoskit dhe personave të tjerë përgjegjës për projektin, emaili i Savoviqit i është drejtuar edhe një farë Natasha Vukshiq, shkruan ekonomia.
Përveç faktit që adresa e saj përfundon me “gov.rs”, që tregon se ajo punon në një institucion shtetëror, dokumentet e publikuara nuk përmbajnë asnjë informacion se kush është Vukshiq, në emër të kujt vepron dhe mbi çfarë baze. Emri i saj nuk është përmendur askund publikisht në lidhje me punimet në Stacionin Hekurudhor.
Por, bëhet fjalë për një person që paraqet lidhje të drejtpërdrejtë me lidershipin më të lartë politik të Republikës së Serbisë, thuhet në tekst.
Siç ka përcaktuar Ekonomia e re, Natasha Vukshiq është bashkëpunëtore shumëvjeçare e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili ishte i përfshirë në këtë projekt edhe pse presidenti dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë asnjë autoritet mbi të.
Vukshiq mblodhi dhe udhëhoqi takimet e palëve të interesuara në projekt, sipas një prej dëshmive para Zyrës së Prokurorisë së Lartë Publike në Novi Sad, në të cilën Nova Ekonomija kishte qasje.
Në disa raste është përfshirë edhe në korrespondencën e institucioneve përgjegjëse për rikonstruksionin e hekurudhës, të cilën mediumi e ka përcaktuar përmes një shqyrtimi të hollësishëm të dokumentacionit të publikuar deri më tani.
Portali e ka konfirmuar identitetin e saj përmes informacionit që ajo la në Dhomën e Audituesve të Certifikuar, një adresë nga korrespondenca dhe disa burime të palidhura.
Deri në publikimin e këtij teksti, mediumi nuk ka marrë përgjigje për pyetjet e drejtuara Natasha Vukshiqit dhe zyrtarëve të tjerë të projektit, si dhe nga zyra e presidentit Vuçiq.
(Kosova Sot Online)