Rozeta Hajdari, nuk figuron as në 50 më të votuarit në listën e Vetëvendosjes

  • A.P /
  • 20 February 2025 - 10:00
Rozeta Hajdari, nuk figuron as në 50 më të votuarit në listën e Vetëvendosjes

Rozeta Hajdari, nuk figuron as në 50 më të votuarit në listën e Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndryshe, Rozeta Hajdari, ministrja në detyrë e Tregtisë do të mbahet mend për rezervat shtetërore, rast ky u bë fillimisht kryelajm në gusht të vitit 2023, kur flitej për keqpërdorimin e tyre.

Atëkohë u arrestuan disa persona, në mesin e të cilëve edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, të udhëhequr nga Hajdari.

Bastisjet dhe arrestimet u bënë pas publikimit të disa audio-incizimeve nga Nacionale në Kosovë, në të cilat pretendohej se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk kishte arritur kurrë. Ngjashëm, as rezervat e grurit.

Hajdari tha në atë kohë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk dha më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo akuzoi policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kujtojmë se deri tani janë numëruar rreth 80% e vendvotimeve dhe listat e rezultateve përfundimtare pritet të publikohen javëve në vijim.

(Kosova Sot Online)