
Haxhiu: Veprimet e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë krejtësisht politike

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë të mërkurën se veprimet e sistemit të drejtësisë në Kosovë janë krejtësisht politike, dhe ka përsëritur edhe një herë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka refuzuar asnjëherë kërkesën e Prokurorisë Speciale që të japë dëshmi në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Javën e kaluar, Prokuroria i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë Kurtin të paraqitet, pas refuzimit të dy ftesave të mëparshme.
“Nuk e di saktësisht se si Prokuroria Speciale i është referuar Gjykatës për këtë urdhër, nuk e kam parë si të tillë. Nëse Prokuroria ka thënë se kryeministri Kurti nuk po pranon ta japë dëshminë, kjo është e pavërtetë, kjo është gënjeshtër, sepse kryeministri Kurti nuk ka refuzuar të japë dëshmi”, ka thënë Haxhiu në një konferencë për media.
Sipas saj, kërkesa e vetme e kryeministrit Kurti është lokacioni – që dëshmia të merret prej zyrës së tij.
“Prokuroria nuk duket që është e interesuar për ta marrë dëshminë e kryeministrit Kurti, sepse i ka pasur disa mundësi, disa data që ka propozuar Kurti dhe nuk kanë ardhur për të marrë dëshminë”.
(Kosova Sot Online)