
Arrestohet një person në Gjakovë pasi i mbylli në shtëpi gruan dhe vëllain e saj

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë në Gjakovë, meqë dyshohet se i njëjti po mbante me forcë në shtëpi gruan dhe vëllain e saj dhe po i kanoste me armë zjarri, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
Sipas Policisë, vëllai kishte arritur të ikte, por motra kishte mbetur brenda.
“Rasti është raportuar rreth orës 19:25, kur një qytetar ka informuar policinë se ai dhe motra e tij kishin qenë të mbajtur nën kërcënimin e armës, në shtëpinë e të dyshuarit në Gjakovë. Qytetari kishte arritur të ikte, ndërsa motra e tij kishte mbetur brenda, e mbajtur nga i dyshuari, i cili është bashkëshorti i viktimës. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë policore, përfshirë njësinë e hetimeve dhe NJRSH-në, kanë dalë në vendin e ngjarjes. Falë reagimit të shpejtë dhe profesionalizmit të treguar, është arritur që i dyshuari të arrestohet.”, njoftoi PK-ja.
(Kosova Sot Online)