Presidenti letonez: Këtë vit do ta hapim kapitullin e ri të dialogut

  • A.P /
  • 20 March 2025 - 15:50
Presidenti letonez: Këtë vit do ta hapim kapitullin e ri të dialogut

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs tha se shpreson që “këtë vit do ta hapim kapitullin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se ky proces ka pasur “ulje dhe ngritje” dhe “shpresa të mëdha”, ndërsa foli në një konferencë të përbashkët për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani pas takimit në Prishtinë.

“Ajo që unë besoj është se në këtë pikë, duhet të rifillojmë nga ajo që kemi”, tha ai.

Rinkēvičs tha se duhet kuptuar se “ky dialog është e vetmja mënyrë për të arritur një lloj zgjidhjeje politike rreth kësaj çështjeje”.

“Duhet që të dyja palët të angazhohen”, tha ai, ndërsa shtoi se e kupton mjedisin në të cilin ky dialog zhvillohet.

Riangazhimi në këtë proces, ai tha se “me siguri do të ishte në interesin më të mirë të të gjithëve”.

“Shpresoj që këtë vit do ta hapim kapitullin e ri të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.


(Kosova Sot Online)